Një javë plot me gola ishte ajo radhës në Serie A ku në 8 ndeshje (pa përmendur ato të mbrëmjes) u shënuan plot 29 gola.
Napoli vuan jo pak ndaj Crotones në “Diego Armando Maradona” por ia del të triumfojë me shifrat 4-3 dhe të regjistrojë suksesin e katërt radhazi, që e ngjit të paktën përkohësisht në vendin e katërt të renditjes.
Të kaltrit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe kaluan në avantazh me anë të Insignes, ndërsa më pas ishte Osimhen që dyfishoi shifrat dhe Mertens shënoi golin e tretë, pak pasi Simy kishte ngushtuar diferencën.
Në fillim të pjesës së dytë Crotone befasoi vendasit duke shënuar dy herë të tjera me Simy dhe Junior Messias dhe duke rikthyer baraspeshën, megjithatë Napoli ia doli të marrë tre pikët vetëm falë një goli të Di Lorenzos në minutën e 72-të.
Bën mirë edhe Atalanta, që triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj Udineses, falë golave të kolumbianëve Muriel dy herë dhe Zapata, ndërsa friulianët rihapën takimin me golat e Pereiras dhe Stryger Larsen.
Del thuajse jashtë garës për një vend në zonën Champions skuadra e Romës, që nuk shkoi përtej barazimit 2-2 në transfertën ndaj Sassuolos, ndonëse vendasit kishin të padisponueshëm 5 titullarë në këtë takim.
Kryeqytetasit kaluan dy herë në avantazh me anë të Pellegrinit dhe Bruno Peres, por vendasit ia dolën të rikuperojnë në të dy rastet, ndërsa tani Roma mbetet në kuotën e 51 pikëve dhe momentalisht 5 pikë larg zonës Champions.
Fitore “në frymën e fundit” për Lazion, që ia doli të triumfojë me shifrat 2-1 ndaj Spezias falë një penalltie të dyshimtë, të akorduar në minutën e fundit të kohës së rregullt dhe të shndërruar në gol nga Caicedo.
Nuk mungoi as tensioni në minutat shtesë, duke bërë që arbitri t’i tregojë kartonin e kuq direkt Lazzarit dhe të verdhin e dytë Correas, duke lënë Lazion me 9 futbollistë, por kjo vetëm pak sekonda para vërshëllimës finale.
Komplikon totalisht mbijetesën Cagliari, që pësoi një tjetër humbje, këtë herë 0-2 në shtëpi përballë Veronës, ndërsa parma mori një pikë shprese në transfertën ndaj Beneventos falë barazimit 2-2. Vetëm barazim 1-1 në përballjen mes Genoas dhe Fiorentinës.