Ndahet nga jeta Sadije Agolli, bashkëshortja e shkrimtarit të madh shqiptar, të ndjerit Dritëro Agolli.
Ajo ka ndërruar jetë sot në moshën 76 vjeçare.
Ndarja e saj nga jeta vjen dy vjet pas vdekjes se bashkëshortit, Dritëro Agollit.
Sadije Agolli ka ndërruar jetë sot në spital, ku ishte shtruar pasi kishte pësuar javën e shkuar hemorragji cerebrale.
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për Ora News Sadije Agolli u shpreh: “Këto dy vite kanë qenë shumë të vështira megjithëse unë jam munduar duke shkruar. E kisha shumë të vështirë ndarjen me Dritëroin, vitin e parë kam qenë krejt e humbur.
Kur vdiq Dritëroi dhe më bënë propozim për ta kthyer në muze, këtë dhe të Ismailit poshtë, por nuk doja se isha kaq e lidhur me kujtimet dhe me gjërat. Thoja që po të iki në një vend tjetër nuk do të mësohem dot dhe do të vdes e mjerë. Kurse kjo shtëpi më jep jetë, më jep frymë.
Kalova vetveten ç’është e vërteta. Këtu është e pasqyruar e gjithë jeta e Dritëroit, këtu ka shkruar, këtu ka punuar, këtu ka kaluar çdo gjë, prandaj them se do të bëhet një muze i bukur. Të gjithë gjërat e Dritëroit, duke rishikuar dhe librat e tij, them ai sikur nuk ka kaluar një jetë por sikur ka bërë dy jetë. Duke bërë rikonstruksionin e të gjithë pallatit, ky bëhet pallati i artistëve”.
Dritëro Agolli u nda nga jeta dy vjet më parë.