Ndërprerja e kampionatit për shkak të dhunës në ndeshjen Kamza-Laçi ka ulur në tavolinë kryeministrin Edi Rama me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka.
Takimi është zhvilluar pasditen e sotme në Kryeministri, ndërsa mësohet se ka zgjatur mbi një orë.
Duka ka qenë i vetëm në selinë e qeverisë, ndërsa ende nuk dihet nëse palët kanë arritur akordin për rikthimin e policisë së shtetit në stadiume.
Kampionati u ndërpre pasi arbitrat bojkotuan për shkak të dhunës. Kërkesa e shoqatës së arbitrave për rikthimin e policisë në stadiume për të garantuar sigurinë erdhi pas kërcënimeve nga FSHF-së më parë për ndërprerje të kampionatit.
Por tashmë që një gjë e tillë u bë fakt nga arbitrat, detyroi palët të ulen në tavolinë.
Por Policia e Shtetit në bazë të ligjit për sportin miratuar në 2017 është jashtë stadiumeve, pasi për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve përgjigjet ekipi organizator me polici private.
Ndërsa policia e shtetit ndërhynë vetëm në momentin që situata precipiton në dhunë, si në rastin e fundit në Kamzë që solli kaosin në futbollin shqiptar.