Politika Ulsi Manja: Djegia e mandateve, thjesht “kurth” politik i opozitës

Ulsi Manja: Djegia e mandateve, thjesht “kurth” politik i opozitës

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja u shpreh se opozita ka ngritur një “kurth” politik me djegien e mandateve. Socialisti ka komentuar edhe deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit me Danielson.

“Mjafton ta lexosh deklaratën ashtu siç e ka thënë dhe provohet se Basha është joserioz dhe i pabesueshëm. Nëse ai kërkon ato ndryshime kushtetuese dhe ligjore, nëse është i vërtetë, serioz dhe i përgjegjshëm për atë deklaratë që po bën, le të dalë në televizion dhe t’u bëjë thirrje deputetëve zëvendësues në listat e PD të marrin një orë e më parë mandatet dhe të zënë vendet në Kuvend.

Të gjitha ç’ka thotë janë blof politik i një lideri opozite që nuk shikon përtej oborrit të shtëpisë së vet. Unë do ta besoja këtë që ai është i gatshëm për ndryshime kushtetuese e ligjore dhe të Kodit Zgjedhor nëse do dalë deri në darkë dhe t’u thotë deputetëve, sepse këto që ikën janë të djegur. Të dalë dhe t’u bëjë thirrje deputetëve të listave dhe tu thotë se ne bëmë gabim që i dogjëm, por ju shkoni dhe merrni mandatet, dhe zini vendet në Parlament si deputetë të rinj të opozitës”, – u shpreh Manja.

Manja gjithashtu theksoi se nuk ka asnjë arsye të qenësishme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Ja shkuam në zgjedhje të parakohshme, opozita që do dalë përsëri do të thotë që u vodhën zgjedhjet. Opozita e ka futur Shqipërinë në një kurth politik. Prokurorja e përkohshme e përgjithshme? Nuk jam jashtë parashikimeve. Në mes të marsit hapen procedurat për t’u zgjedhur Prokurori i Përgjithshëm. Gjithçka çfarë ndodh është frika nga SPAK. Nuk ka lidhje imuniteti parlamentar, ka të pjesshëm për sa i përket arrestimit por jo ndaj hetimit.

Nuk ka rikthim në rrugën e errët, sepse shqiptarët janë shumë hapa para klasës politike, ata duan stabilitet. Opozita zgjodhi kohën e gabuar për rrugën e saj vetëvrasëse. Ta ndajë mendjen opozita, se ulja e vetme në tryezën e dialogut është me Edi Ramën Kryeministër dhe kryetar i PS, përfaqëson shumicën e qytetarëve. (Basha) T’iu bej thirrje listës që të zënë vendet në Parlament, hapet rruga për një zgjidhje ligjore”, – vijoi ai. (Atsh)