Inxhinierja e ndërtimit Prof. Dr. Luljeta Bozo zbuloi gjatë një interviste për A2 shkeljet që bëhen sot në industrinë e ndërtimit, duke nisur nga mungesa e studimit gjeologjik e sizmik, e deri tek supervizioni dhe oponenca e dobët.
“Sigurisht që çdo tërmet që bie do të bëjë dëme, por jo dëme të asaj natyre që të bëjë kolaps objekti që t’i zërë brenda. Diçka nuk ka shkuar. Janë shumë shkelje që janë bërë gjatë gjithë procesit të ndërtimit.
Më parë ka funksionuar kështu, të marrësh lejen e ndërtimit dhe të kesh të drejtën të projektosh, duhet të kesh studimin gjeologjik të parin dhe studimin sizmik të dytin, pa këto nuk mund të fillosh.
Nuk mund të kursesh në dëm të sigurisë së objektit që mund të të zërë brenda njerëzit. Projekti duhet të kontrollohet. Duhet të ketë një instancë që kontroll projektin dhe projekti duhet të jetë i plotë, jo me copa letrash.
Duhet ndjekur rregulli që në çdo hap të zbatimit duhet të kontrollohet cilësia e materialit dhe mënyra se si është zbatuar projekti. Këtë e bën supervizori. Por kush e ka supervizorin? Ata mund të ketë investitori. Atij i intereson, ai që nuk është serioz, ta kalojë shpejt e shpejt që të mbarojë objektin. Heq hekura, shkel në cilësinë e betonit. Këtu nuk janë zbatuar rregullat teknike, asnjë rregull teknik”, u shpreh inxhinierja.