Trukimet e ndeshjeve në futbollin shqiptar, pavarësisht raporteve dhe sinjalizimeve nga UEFA, nuk kanë nxituar aspak Prokurorinë për të thelluar hetimet, apo për të ndërmarrë ndonjë hap hetimor.
Kodi i Disiplinës sportive mbetet i cunguar, e me pak hapësira vendimmarrjeje për sa i përket çështjeve të tilla, dhe rasti i gjyqit të fituar nga Skënderbeu në CAS-in e Lozanës për çështjen e titullit të hequr nga FSHF-ja e tregon qartë hapësirën e interpretueshme të Kodit të Disiplinës.
Por, shqetësimi i raporteve që vijnë duket se ka vënë në lëvizje organet e drejtësisë sportive pranë FSHF-së. Prej pak kohësh janë marrë në pyetje përfaqësues dhe lojtarë të 5 klubeve, për të cilët ka sinjalizime për ndikim në rezultate.
Edhe pse nuk zbardhen ende emra, bëhet fjalë për skuadra të Kategoriës së Parë dhe të Superiores. Kupa e Shqipërisë, e konsideruar si një aktivitet i nivelit të dytë, krahasuar me kampionatin, jo rrallëherë është bërë pjesë e një skeme marrëveshjesh, apo tolerimesh.
Një gjë e tillë është sinjalizuar së fundi nga raportet e UEFA-s, të cilat tashmë kanë investigime më të thella duke përmendur emra. Ndërkohë, në Kategorinë e Parë, një nga ndeshjet e evidentuara është fitorja 2-3 e Besës së Kavajës me Egnatian e Rrogozhinës. Për këtë arsye janë marrë në pyetje lojtarët e të dyja skuadrave, të cilët kanë deponuar.
“Ishim të papaguar dhe në formë proteste kishim vendosur të mos luanim. Nuk kishim qëllime për të shitur ndeshjen, apo luajtur baste”, thuhet në deponimet e futbollistëve të Egnatias.
“Kishim mësuar që lojtarët e Egnatias kishin vendosur të mos impenjoheshin në atë ndeshje dhe për këtë arsye e morëm më lehtë se ç’duhet, prandaj u gjendëm në disavantazh 2-0 në pjesën e parë”, thuhet në deponimet e lojtarëve të Besës. “Ndërkohë, në të dytën u mobilizuam dhe arritëm ta kthejmë rezultatin”.
Protesta e lojtarëve të Egnatias mund të ketë shërbyer si një skenar përfitimi nga persona të caktuar, duke pasur dyshime të forta se kjo ndeshje është trukuar. Gjithsesi, kjo dhe disa ndeshje të tjera, përfshirë edhe ato të Kupës së Shqipërisë me skuadra të Superiores janë në fazën e hetimeve përfundimtare, nga ku priten dënime.