Aktualitet Ndëshkohen 124 persona, policia: Nga e hëna gjobë nëse nuk keni konfirmimin...

Ndëshkohen 124 persona, policia: Nga e hëna gjobë nëse nuk keni konfirmimin nga e-Albania

124 persona janë ndëshkuar nga Policia e Shtetit pasi kanë shkelur rregullat e vendosura për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Nga këta, 25 persona janë shoferë.

“Janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, thotë policia.

89 persona janë ndëshkuar me 10.000 lekë gjobë.

“U konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë”, thotë policia.

Ndërkohë 5 të tjerë janë gjobitur me 20.000 lekë dhe bllokim mjeti pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Por jo vetëm kaq. Gjoba kanë marrë edhe 13 dyqane.

“Në të gjithë vendin janë konstatuar 13 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin”, thotë policia.

Policia e Shtetit bën të ditur se duke filluar nga nesër nuk do të lejojë asnjë këmbësor që të dalë për shëtitje, aktivitet sporti apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë për punë.

“Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.