Turqia është treguar zemërgjerë dhe solidare me Shqipërinë pas fatkeqësisë së tërmetit që e goditi të martën e 26 nëntorit. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka marrë përsipër të ndërtojë 500 njësi banimi në Shqipërinë e përkulur nga kjo fatkeqësi.
Ambasadori i shteti turk, Murat Ahmet Yörük, tha se kanë ardhur në vendin tonë ekipet që do të bëjnë të gjitha studimet, dhe në bashkëpunim me qeverinë të ndajnë vendet dhe qytetet ku do të ndërtohen këto godina të reja për gjithë të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që la pas dhjetëra viktima nën rrënoja.
“Që nga momenti i parë ne filluam të bashkërendojmë përpjekjet me qeverinë shqiptare. Ekipe nga Turqia erdhën brenda 12 orësh, agjencitë e fatkeqësive erdhën për operacionet e kërkim-shpëtimit, ministria e Shëndetësisë dërgoi 8 ekipe mjekësore. Gjysmë hëna turke ka filluar të bëjë fushatë në Turqi për të ndihmuar gjithë ata njerëz vëllezër dhe motra në nevojë. Presidenti ynë, që nga dje njoftoi se Turqia do të ofrojë 500 njësi banimi në zonat e prekura nga tërmeti. Që sot në mëngjes ekipet tona të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Urban kanë mbërritur në Tiranë. dhe Sot patëm një takim të rëndësishëm nën patronazhin e ministrit të Kulturës për të bashkërenduar projektet për strehimet e reja. Modeli i punës i agjencisë sonë të strehimit publik nuk punon duke i prishur një nga një shtëpitë në vende të ndryshme sepse unë fola me kryetarin e ekipit, dhe më thanë që ka nevojë që qeveria tu tregojë zonat në qytetet se ku ju mendoni se duhet t’i bëjmë. Por ata nuk përdorin modelin e transformimit të qytetit apo rrugëve. Misioni i tyre është të ndërtojnë shtëpitë e reja”, tha ambasadori turk në Tiranë.
Duke u treguar falenderues ndaj ndihmës së madhe të Turqisë për të cilën tha se e ka falenderuar personalisht presidentin Erdogan, kryeministri Edi Rama u ndal tek ndihma me ekipe mjekësore që i është dhënë vendit tonë.
Dy të mbijetuar nga tërmeti janë dërguar në Itali për mjekim të specializuar, ndërsa në fjalën e tij, Edi Rama shprehu ngushëllimet për vajzën që sot u shua duke mos ja dalë t’i mbijetojë plagës që i la në kokë një tullë e rënë nga kati i pestë i pallatit në Kombinat teksa ajo doli me familjen për të shpëtuar.
Kreu i qeverisë tha se sot e kishte takuar babain e Xhesika Biqikut teksa ai i përlotur i kërkonte që vajzën t’ia çonin për mjekim në Itali, por nuk kishte gjetur guximin t’i thoshte se të gjitha shpresat për vajzën e tij ishin shuar.
Rama tha se nga komunikimet me mjekët specialistë të huaj u tha se për Xhesikën 20-vjeçare nuk kishte më shpresë mbijetese. Po ashtu prekës ishte edhe rrëfimi i kryeministrit për Albert Carën i cili gjithashtu u dërgua në Itali për mjekim.
I mbijetuari nga rrënojat e pallatit në Thumanë nuk e di ende se e gjithë familja e tij është shuar, gruaja, djemtë, vajza, nusja e djalit, nusja e xhaxhait dhe mbesa e saj.
Më tej kryeministri tha se përvoja e Turqisë që është goditur nga tërmete të mëdha, do ta ndihmojë Shqipërinë të rindërtohet.
“E vlerësoj shumë dhe sa shumë e çmoj atë që presidenti (Erdogan) juaj dhe qeveria juaj po bëjnë. Ju prekët diçka që harrova. Shpejtësia me të cilën vendet, Italia, Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Serbia, Turqia, të gjitha vendet ofruan kujdes të menjëhershëm për pacientët tanë të cilët kanë nevojë për trajtim të veçantë.
Ne kemi dërguar tre pacientë të tjerë, për fat të keq patëm një tjetër të vdekur sot, një vajzë që nuk mundi të mbijetonte (Xhesika Biqiku). Ishte rast fatkeq, e takova të atin në mëngjes, por nuk ia thashë dot se nuk kishte shpresë e bija, dhe të gjitha konsultimet me mjeket jashtë ishin pa rezultat.
Unë e shoqërova vetë dikë në aeroport (Albert Cara), dikë që mbijetoi me fraktura të rënda në shtyllën kurrizore por ai nuk e di se i ka humbur të gjithë familjarët, gruan dhe fëmijët. Është për tu habitur se sa solidaritet është treguar në këtë drejtim, dhe sa e madhe është treguar Italia duke ardhur duke i marrë të gjithë që ka nevojë.
Jam në dijeni dhe mendoj se jemi ende tepër, në një fazë të hershme prandaj do na duhet pak kohë të sqarohemi për mënyrën e bashkëpunimit me agjencinë tuaj fantastike. Ju keni kaluar mesa mbaj mend një tërmet shumë tragjik prandaj keni shumë përvojë dhe do të na ndihmonte shumë të na flisnin, jo tani, por njerëzit tuaj të na tregonin skema financimi që mund t’i përdorim dhe për mënyrën se si organizohet krejt procesi se për ne është një përvojë krejtësisht e re. Deri tani po punojmë mirë por gjërat do të ndërlikohen më shumë. E kam pasur rastin ta falenderoj presidentin turk”, tha Rama.