Vetëm pak ditë pasi Rita Ora vizitoi Kosovën për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, Dua Lipa shkoi në Liban, ku qëndroi për 3 ditë dhe u njoh me vështirësitë me të cilat përballen familjet refugjate në kampet e strehimit.
Në disa postime të njëpasnjëshme në Instagram, Dua Lipa u shpreh se kjo përvojë bëri që t’i hapeshin sytë për situatën aktuale që po kalojnë refugjatët. Por një prej komentuesve shqiptar në veçanti nuk e ka pritur aspak mirë këtë vendim të këngëtares së njohur.
“Ndihmo njerëzit e tu Dua, shumë refugjatë në Kosovë vuajnë, se janë pa shtëpi, pa bukë. Sërish ti shkon në Lindjen e Mesme për të ndihmuar arabët, por harron njerëzit e tu”, ishte komenti i një prej ndjekësve të saj në Twitter.
Këngëtarja shqiptare dëshiroi që ta sqaronte situatën dhe iu përgjigj komentuesit: “Kam hapur një fondacion në Kosovë për të bërë pikërisht këtë gjë që nga 2016-ta. Quhet ‘Sunny Hill Foundation’. Mund të kontrollosh të gjithë punën që është bërë deri tani përmes website-it”.