“Monika Kryemadhi, gruaja e ish-Presidentit shqiptar që qeverisi në koalicion me PD-në, Ilir Meta, ka marrë një sërë pagesash në vitin 2017 nga kompani të kontrolluara përfundimisht nga biznesmenë rusë të naftës me lidhje të ngushta me Kremlinin përmes një sërë kompanish opake offshore.”
Është kjo një pjesë e një shkrimi të EuReporter, një platforme mediatike me bazë në Bruksel, mbi mjetet dhe mekanizmat që po përdor prej kohësh Rusia për të shtrirë kontrollin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
EuReporter ka publikuar dokumente, që vërtetojnë pagesat e kryera në emër të Kryemadhit dhe një pagese të bërë prej saj për një kompani me pronarë rusë.
“Kryemadhi bëri një pagesë për një kompani offshore, Vradus Holdings, e cila u zbulua se kontrollohej përfundimisht nga Vitaly Savvin, një tregtar rus nafte, kompania ruse e naftës e të cilit u zbulua gjithashtu nga Forbes se kishte qenë një nga donatorët më të mëdhenj të Putinit, partia politike në pushtet, “Rusia e Bashkuar””.
Fatura e publikuar nga EuReporter mban datën 18 Korrik 2017, në shumën prej 9,687 Dollarëve. Gazeta me bazë në Bruksel publikoi edhe dy pagesa të marra nga Kryemadhi nga Holdem Holding Limited, një në periudhën Dhjetor – Janar prej 5.350 Dollarë si dividend për aksionerët dhe një pagesë tjetër prej 13.500 Dollarësh në Shkurt – Mars 2017.
“Kryemadhi ka marrë pagesa nga kompania offshore Holdem Holding, e cila kontrollohet nga oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan. Është e paqartë pse Kryemadhi i ka marrë këto pagesa nga këta biznesmenë rusë. Siç përshkruhet në dokumente, referencat e pagesës përfshijnë ‘dividend për aksionerët’ dhe ‘shërbimet e marketingut’. Bashkëshorti i Kryemadhit, Meta, aktualisht vazhdon të drejtojë Partinë e Lirisë Shqiptare, një nga partitë më të mëdha opozitare në Shqipëri, e lidhur ngushtë me PD-në, e mbështetur nga Rusia.”
EuReporter përmend se, siç u zbulua nga një vlerësim i deklasifikuar i inteligjencës amerikane në vitin 2022, Rusia shpenzoi 500,000 Dollarë amerikanë për financimin e partisë politike opozitare të qendrës së djathtë të Shqipërisë, Partisë Demokratike në zgjedhjet shqiptare të vitit 2017.
Ajo shkruan se Rusia gjithashtu dyshohet se ka mbështetur grupet e djathta ekstreme të cilat kanë propaganduar teori konspirative se kryeministri aktual Edi Rama dhe partia e tij politike Partia Socialiste kontrollohen nga George Soros.
Gazeta shkruan se në dritën e taktikave gjithnjë e më agresive dhe ekspansioniste të Rusisë, është thelbësore që BE dhe NATO të rrisin veprimet diplomatike për të garantuar stabilitet dhe integritet sovran në Ballkanin Perëndimor, që Shqipëria të mos bëhet Mali i Zi i ardhshëm ose Ukraina e ardhshme.