“Make Albania Great Again” –MAGA! Ta bëjmë Shqipërisë sërish madhështore – të madhe. Me këtë titull hapet sot Rilindja Demokratike shoqërua fotos së disa kongresmenëve amerikanë që kanë shprehur mbështetje për protestën e saj(http://www.rd.al/2017/02/faqja-e-pare-308/).
Është e pabesueshme sesi mundet të arrijë tallja – edhe me veten – deri këtu. Zoti Basha është shkolluar jashtë vendit – cilësi kjo që mbahet për gjë të madhe në këtë vend – dhe presupozohet se duhet të jetë pak më i kthjellët në këtë drejtim. Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë madhështore, as e madhe. Ka qenë përherë e zhelosur, apo në variantin më të mirë, për ta thënë me një përkufizim të Konicës: Ajo ka patur një dinjitet tragjik. Zoti Basha dhe të tijtë ofrojnë këtu një lexim alternative duke mbajtur ndoshta Skëndërbeun në mendje. Por edhe në kohën e Skënderbut, punët nuk kanë qenë mirë.
Nëse redaktorët kanë patur në mendje “Shqipërinë Zonjë”, sipas një përfytyrimi rilindas, atëherë edhe mund të mirëkuptohet problemi, pasi nuk do kishte kuptim titulli: Make Albania Lady Again. Ndërkohë që mesazhi duhet dhënë anglisht, për të kujtuar se PD-ja është forcë proamerikane, madje pro Trump dhe se në këtë kuadër Donald Lu nuk përfaqëson asgjë. Një mesazh komik dhe një titull që nuk do të duhet të kalojë titujt e ZP-së gjatë miqësisë me sovjetikët./Respublica