Qëndrimi i opozitës parlamentare është i qartë. Ata kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari, deklaroi këtë të martë pas tryezës së organizuar nga OSBE se janë të gatshëm ta çojnë deri në referendum këtë çështje.
“Qëndrimi jonë është i qartë. Ne vërtetë duam një reformim zgjedhor tërësor. Nga ana tjetër ne mendojmë se ndryshimi i sistemit është ai ndryshimi që do zbuste rolet e kryetarëve të partive, do përmirësonte cilësinë e demokracisë, do të përmirësonte nivelin e përfaqësimit në Kuvend. Të gjitha këto përmirësime të tjera siç është ligji i partive politike është pozitive, por nuk i zgjidh të gjitha problemet tona. Ne do i mëshojmë fort faktit që ndryshimi i sistemit do të ishte një shans për shqiptarët dhe ne jemi në një moment historik për ta bërë dhe realizuar këtë objektiv. Ne kemi propozimet tona dhe mendoj që kemi një mbështetje të fortë nga shoqëria civile në lidhje me ndryshimin e sistemit. Po ashtu mendojmë se edhe shqiptarët e duan këtë ndryshim. Nëse është e nevojshme do ta çojmë në referendum këtë çështje sepse duhet të jenë ata që ta vendosin nëse ne duhet të kemi ndryshim sistemi. Duhet të jetë vullneti i tyre nëse ne duhet të shkojmë drejt kësaj rruge”, tha Hajdari.
Rudina Hajdari deklaroi se gjatë takimit kanë marrë opinione shumë të vyera nga ekspertët ndërkombëtarë. Gjithashtu u shpreh se ka pasur propozime konkrete nga opozita parlamentare dhe ajo joparlamentare.
Hajdari komentoi edhe propozimin e PD-së për financim publik 100%.
“Financimi 100% është një nga propozimet e tyre kyçe. Është diçka që duhet të parë me vëmendje. Ne e dimë që jetojmë në një shtet të varfër dhe t’i kërkohet shqiptarëve që të paguajnë që të financohen partitë politike 100% mendoj se kjo nuk është e drejtë. Në lidhje me këtë propozim mendoj se ka edhe problematika të tjera siç mund të jetë krijimi i një tregu të zi akoma më problematik”, tha ajo.