Ish-kryeministri Sali Berisha kundërshton idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thekson se problemet mes dy vendeve duhet të zgjidhen si dy shtete të pavarura që janë.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha tregoi edhe një bisedë të shkurtër me ish-Presidentin amerikan George Bush kur ky i fundit vizitoi Shqipërinë në vitin 2007.
“Gjatë vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, Presidenti më drejtohet më thotë: Cili është mendimi juaj për Kosovën si zgjidhje? Natyrisht unë mbrojta pavarësinë.
Tha, kur mendon se duhet shpallur?
Ata që ishin hapën sytë dhe menduan se unë do t’i thosha sot ose javën që vjen.
I them, z. President merrni kohën tuaj se ne nuk duhet të bëhemi mollë sherri midis jush dhe Bashkimit Europian”.
Berisha deklaroi se ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë do të përbëjë kërcënim për sigurinë në rajon.
“Ky proces duhet të ecë me një mirëkuptim dhe jo siç bën zotëria me argatët e Beogradit. Po bëhet sherri i Ballkanit dhe faturën e paguajnë shqiptarët. Dënoj me ashpërsi më të madhe, e konsideroj kërcënim për sigurinë. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet si dy shtete të pavarura dhe jo mbi bazën e argatëve që s’kanë atdhe, që s’kanë ideale, që janë skllevër të dosjeve të së shkuarës së tyre. Ata janë armiq të paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Replikë Taulant Balla: Gjuha të shkon ku dhemb dhëmbi. Sali, ti e mbylle kohën tënde me shumë pika të zeza dhe një prej tyre është sabotimi që i bërë pavarësisë energjetike të Kosovës duke bllokuar linjën e transmisionit të Shqipërisë më Kosovën dhe duhet te vinin ne në 2013 për ta zhbllokuar. Ne kemi denoncuar këtë sabotim, por historia jote nuk fillon dhe mbaron me sabotimin e energjisë. Sa herë Kosova ka qenë në momente të rëndësishme, kur Ibrahim Rugova bënte rezistencë, ti furnizoje Sllobodan Millosheviçin me naftë. Kur e gjithë klasa politike shqiptare edhe Ilir Meta mbështeste Marrëveshjen e Rambujesë, i vetmi politikan shqiptar që ishte kundër, ishe ti Sali. Teksa u çlirua Kosova vetëm Sali Berishës nuk i lejohej të shkonte në Kosovë.