Nuk është hera e parë që makinat e kompanive të ruajtjes fizike, që transportojnë paratë e bankave të nivelit të dytë, apo institucioneve të tjera, bëhen objekt i grabitjeve me armë. Pothuajse në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe në të paktën tre raste të tjera.
Më 13 Shkurt 2015, një filial banke në Stacionin e Trenit u grabit nga disa persona të armatosur, të cilët u afruan në ambientet e saj të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, i detyruan punonjësit t’u japin dy thasë me para nga mjeti i blinduar, i cili në ato momente po bënte transportin e tyre. Grabitja ndodhi në parkimin e ndërtesës ku gjenden zyrat e bankës. Përpara se të largoheshin, autorët qëlluan në ajër. Për këtë rast, policia arrestoi 7 punonjës civilë të kompanisë private të ruajtjes fizike dhe një prej drejtorëve të Departamentit të Sigurisë së Bankës.
Në 27 Prill të 2015, një automjet i një kompanie të sigurisë fizike, që po transportonte para të disa bizneseve private të një qendre tregtare, u grabit në rrugën dytësore, përgjatë autostradës Tiranë – Durrës. Tre persona të maskuar dolën nga një Mercedes 240 dhe nën kërcënimin armës morën paratë, që arrinin në shumën e 2 milionë lekëve. Dy policët privat mbetën të bllokuar në automjet për më shumë se 50 minuta, duke mos kryer asnjë lëvizje, pasi dyert e makinës u bllokuan nga përplasja.
Më 3 Dhjetor 2015, 4 persona të armatosur me uniforma policie grabitën një automjet të blinduar, që i përkiste një kompanie private të sigurimit fizik dhe po transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë. Grabitja ndodhi në rrugën Tiranë – Rinas, në kryqëzimin e Laknasit, kur paratë po dërgoheshin drejt aeroportit. Autorët fillimisht ndaluan mjetin e blinduar dhe një makinë tjetër shoqëruese dhe më pas, në kërcënimin e armëve, detyruan punonjësit t’u japin paratë.
30 qershor 2016 ndoshta grabitja me spektakolare e parave të bankave që ka ndodhur ndonjëherë në vendin. Në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” tre persona me maska dhe armë arritën të grabisin rreth 1 milion euro gjate kohës që do të ngarkoheshin në avion. Është i vetmi rast kur është arritur të identifikohet dhe shpallet në kërkim një prej autorëve për shkak të një fije floku një paruke të braktisur.
7 muaj nga kjo ngjarje mesditën e kësaj të enjte po në afërsi të kryqëzimit të Laknasit 5 persona të armatosur grabisin një autoblindë i cili dyshohet se transportonte rreth 2 milion euro. Në te gjitha rastet autoret kane djegur mjetet me te cilët kryejnë grabitjet thuajse në të njëjtin vend në afërsi të fshatit Berxull. Përpara drejtësisë kanë dalë vetëm efektivët e policive private, por jo autorët e këtyre grabitjeve.