Nga Berati, teksa prezantonte kandidatët për deputetë të qarkut që nxjerr 7 ligjvënës për Kuvendin e Shqipërisë, kreu i mazhorancës Edi Rama, u kujdes t’i tregonte një kufi të tijve.
Mesazhi ishte direkt për kryebashkiakët e majtë, të cilëve u kujtoi se më 11 Maj më e rëndësishme është vota për PS dhe duhet të jenë ata “rojtarët” e garës, që të mos favorizohet njëri apo tjetri kandidat nga lista e hapur.
“Nuk duhet të ndërhyni në garë. Duhet t’i jepni mundësinë të gjithë kandidatëve që janë në listë të kenë e një gare pa interference të kryetarëve të bashkive. Kijeni mirë parasysh këtë gjë. Nuk bëhet fjalë për deputetë të një zone apo zone tjetër. Patjetër që janë zgjedhur sipas zonave për të pasur një përfaqësim më të gjerë. Nëse Ardiani është zgjedhur nga një zonë, nuk do të jetë deputeti i asaj zone ngushtësisht por të gjithë qarkut të Beratit. Kjo vlen për të gjithë. Pra është liria e drejta e gjithsecilit të ketë një preferencë por ama kini parasysh. Unë kam problem kur dëgjoj brenda partisë që thotë nuk është ky personi që doja unë e nuk di si do ia bëj me votën time”, ishte vija e kuqe që Rama i përcaktoi të tijve.
Më pas kreu i mazhorancës kërkoi angazhim maksimal për të mbrojtur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021 në Berat.
Pesë deputetë është objektivi që duhet të arrihet sipas shefit të qeverisë. Rama u shpreh se ai e pëlqen shumë numrin 5, duke thënë se rivalëve duhet t’ia bëjnë “tamam 5 me 1”.
“Ne kemi këtu faktikisht 6-7 mundësi në listë për 6 vende dhe është absolutisht e pakuptimtë të thuhet jo po ky. Për më tepër ne kemi respektuar të gjitha bashkitë, moshat e gjinitë, e nevojat që ka bashkësia për tu përfaqësuar. Dua t’ju them kryetarëve të bashkive, se duhet të jenë në dispozicion të PS-së. Duhet të jenë në dispozicion të numrit 5 dhe pesa më pëlqeu shumë sepse është tamam 5 me 1”, tha Rama.
Edhe gjatë takimit me kandidatët për deputet në Berat, kryeministri Rama ndoqi të njëjtën retorikë sa i takon “fitores me notën 10 më 11 Maj” dhe ironive karshi opozitës. “Hap kuti, e dil Noci! Noci është gjë serioze…”, u shpreh ai, duke parashikuar humbjen e radhës për kundërshtarët politikë.
Ritheksoi se Partia Socialiste do bëjë përpjekjet e saj për të marrë një rezultat si asnjëherë më parë.
“Me i dhënë votën atij që do çlirojë TikTokun për fëmijën, pastaj merr Noc Rrokun me Bashkimin Evropian. Ne do bëjmë përpjekje deri në fund, por do luftojmë lagje më lagje, shtet për shtet, derë për derë me shqiptarë këtu e në emigracion, që t’i japim PS-së rezultatin më domethënës të të gjitha fitoreve që kemi marrë.”
Pati një koment të fundit për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.
“Mendja e bufit e ka të qartë që nuk fiton më 11 Maj, ai është i pakallur politikisht. Ndërsa Luli e di që do fitojë, por ajo është temë tjetër”, tha kryesocialisti.