Babait të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, iu dha sot lamtumira e fundit, pasi ndërroi jetë të shtunën nw mbrëmje në moshën 87-vjeçare.
Babai i Hashim Thaçit u varros në fshatin Brojë të Skenderajt, ndërkohë që në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë familjarë, miq, dhe personalitete politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Por vetë Hashim Thaçi nuk ka mundur të merrte pjesë në këtë moment të dhimbshëm, për shkak të refuzimit të kërkesës nga Gjykata Speciale në Hagë.
Megjithatë, ai i ka dërguar një kurorë me lule me një mesazh emocionues ku shkruhet: “Në spital të thashë lamtumirë, babë. Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë”.
Kujtojmë se pak ditë përpara vdekjes, Hashim Thaçi ka pasur mundësinë të takonte babain e tij për disa orë në Klinikën Interne të QKUK-së, pas miratimit të vizitës nga Gjykata Speciale për arsye humanitare.