Kryeministri Edi Rama ditën e sotme mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan, të Polonisë.
Pas Samitit gjatë një interviste, Rama ka folur në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai u shpreh se shpreson që Këshilli të marrë një vendim pozitiv në tetor, për çeljen e negociatave me BE.
Kryeministri Rama ka refuzuar të flasë për krizën politike në Shqipëri, por shtoi se Shqipëria është drejt integrimit në BE. Në këtë Samit Rama është takuar gjithashtu dhe me delegacionet të Gjermanisë dhe Francës.
“Po, jam takuar, kemi biseduar. Në fokus ka qenë domosdoshmëria e një vendimi pozitiv të Këshillit në tetor. Është e qartë që vendimi i tetorit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë varet nga subjektiviteti teknik i shteteve anëtare dhe jo objektiviteti teknik i arritjeve tona. Sidoqoftë, ne do vijojmë përpjekjet tona dhe deri në sekondën e fundit do të bëjmë çmos që, duke u bazuar tek një koalicion shtetesh, të mund të marrim një vendim pozitiv”,-është shprehur Rama.
Samiti i gjashtë i njohur si procesi i Berlinit është një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE, të diskutojnë për arritjet dhe objektivat e tyre në kuadër të integrimit.