Edoardo Reja do të jetë trajneri i ri i Shqipërisë, duke marrë vendin e Christian Panuccit. Takimi i dytë mes palëve duket se ka qenë edhe ai që ka shuar të gjitha dyshimet, kjo edhe për faktin se udhëtimi i ish-trajnerit të Napolit dhe Lazios në Shkodër, “Loro Boriçi”, nuk ishte më kot. Telesport, sakaq, ka mësuar se zyrtarizimi i Rejas në stolin kuqezi nuk do të vijë më parë se sa javën e ardhshme, duke qenë se së shpejti do të mblidhet edhe Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së dhe vëmendja është aty.
Javën që vjen, sakaq, në Shkodër, fondacioni “Cana” do të përurojë një fushë sportive në një kopësht dhe do të jetë i pranishëm edhe presidenti Duka, ku do të flasë për këtë çështje. Reja ka kërkuar që të ketë kohë të paktën 1 muaj për të përgatitur edhe studimin e tij dhe për të biseduar me futbollistët, në mënyrë që të jetë gati për grumbullimin e majit.
Dosieri i përgatitur
Armand Duka, sakaq, që ndodhej në Itali për disa takime pune, por sidomos edhe për të biseduar sërish i pashqetësuar dhe në fshehtësi totale me Eduardo Rejan, ish-trajnerin e Lazios, Atalantas dhe Napolit, u ka kërkuar stafit të federatës shqiptare të futbollit që të përgatisë një dosier me emrat e futbollistëve që kanë qenë pjesë e Shqipërisë A dhe Shpresave (pra, U-21) në tri vitet e fundit. Emër dhe klubi ku luan. I gjithë dokumentacioni do t’i dorëzohet më pas Rejas, që do ta marrë në konsideratë dhe do të bëjë analizat e tij.
Negociatat dhe shifrat
Ndërkohë, puna ka “ngecur”, edhe pse është një pjesë që do të limohet, edhe në aspektin ekonomik. Rroga e Christian Panuçit ishte 20 mijë euro në muaj, bashkë me ndihmësin e tij Marco Cassetti.
Praktikisht, 240 mijë euro në vit, ndërsa italiani do të vazhdojë të paguhet deri në fund të nëntorit, sipas kontratës, edhe pse nëse gjen një ekip tjetër, atëherë kontrata prishet në mënyrë të menjëhershme.
Por, ka një problem të vogël: Reja kërkon 24-25 mijë euro në muaj, bashkë me ndihmësin e tij Calori, që ka qenë pjesë e Ternanas kohët e fundit. Kjo do të thoshte diçka e përafërt me 300 mijë euro në vit. Për këtë arsye, palët ende janë duke biseduar, për të arritur te një akord, që parashikon bonuse dhe që të mos i largohet shifrës që fitonte Panucci.
Të gjithë emrat e tjerë të lakuar, kërkonin rroga që kalonin 400 mijë eurot në vit, diçka e papranueshme nga federata shqiptare e futbollit.