Politika Nën hetim nga SPAK/ Reagon deputetja Bushka: Kam folur me Ajolën, por...

Nën hetim nga SPAK/ Reagon deputetja Bushka: Kam folur me Ajolën, por jo për të mbuluar të vërtetën

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka ka reaguar pasi Prokuroria e Posaçme e ka vendosur nën hetim në lidhje me çështjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Bushka dyshohet se ka kryer “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputetja thotë se është “pa fjalë” që prej 24 orësh pasi ka mësuar se figuron në listën e emrave që thotë se “ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie”.

Akuzat e ngritura nga SPAK, Bushka i quan dyshime të lidhura si në një film për të cilat maksimumi i akuzave për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë.

“Jam “pa fjalë” prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film, për të cilat maksimumi i akuzave për Erjon Velinë dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë. Por kjo është një temë tjetër.”

Ndërkohë që ngre pyetjen se ku hyn ajo në këtë mes dhe pse duhet t’i takonte balta që shoqëron ato që i quan “goditje të SPAK-ut”.

“Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte sipas SPAK-ut balta që i shoqëron këto goditje të tij, për të cilat më shpejt vihen në dijeni disa gazetarë “specialë”, se sa kush përgojohet pa u pyetur fare?”

Deputetja pranon miqësinë me kryebashkiakun Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën teksa thotë se më këtë të fundit ka folur dhe do të flasë sa herë t’ia kërkojë. Megjithatë shton se nuk ka folur kurrë për të mbuluar të vërtetën.

“A jam unë shoqe që nga fëmijëria me Ajola Xoxën? Po, dhe s’kam për ta mohuar, as harruar kurrë. A jam unë edhe shoqe me Erjonin? Po, që në rininë e parë dhe jam krenare edhe për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën. A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje? Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet.”

Bushka e mbyll reagimin e saj duke shpresuar se pret të dëgjohet nga prokurorët e SPAK, për të cilët thotë se e kanë futur emrin e saj në një akt-hetimi pa e thirrur asnjëherë. Gjithashtu, deputetja shton se ka kërkuar që të dëgjohet nga grupi parlamentar socialist.

“Thënë sa më lart, kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë.”