“Mami, kam një surprizë për ty, kam nënshkruar me Juventusin dhe ti nuk do të punosh më, pasi do të vish të jetosh në Torino me mua”.
Moise Kean është lojtari i momentit në Itali, pasi shënoi dy gola njëri pas tjetrit. Të parin me Juventusin, kundër Udinese, ndërsa të dytin në debutimin si startues me kombëtaren axurre, kundër Finlandës.
Tani, për të na treguar talentin e ri të futbollit italian, ka folur nëna e tij, Isabelle, e cila është intervistuar nga “Tuttosport”.
Ajo zbulon edhe një detaj për lindjen e Kean.
“Giovanni lindi në vitin 1993 dhe Moise në vitin 2000. A e dini pse ne e quajmë atë të voglin e shtëpisë? Sepse lindja e tij ishte një mrekulli. Mjekët më thanë se nuk mund të kisha më fëmijë, unë bërtita dhe u luta. Natën që ëndërrova për Moise, ai “kishte ardhur” për të më ndihmuar…, sepse pas katër muajsh isha përsëri shtatzënë”.
Jeta e familjes “Kean” ndryshoi kur Moise nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me Juventusin: “Kishim shumë pak para në shtëpi. Një ditë, teksa ora shënonte 05:30 e mëngjesit, im bir, Moise, më telefonoi, ndërsa po shkoja në punë. Fillimisht u frikësova, mendova se diçka i kishte ndodhur atij, që më merrte në një orë të tillë, por më tha: mami, kam një surprizë për ty. Unë e pyeta plot ankth: Mos më thuaj që nuk ke nënshkruar me Juven. Dhe ai m’u përgjigj: Jo, mami, kam nënshkruar dhe ti nuk do të punosh më, pasi do të vish të jetosh në Torino me mua”.
Dhe në fakt, djaloshi i talentuar i nxori nga varfëria, ku po “notonin” gjithë kohës. Kjo është arsyeja pse Isabelle e falënderon Juventusin, që po punon për rinovimin e kontratës me Mino Raiola, për ta shmangur humbjen e Kean në afatin e caktuar, vitin 2020: “Juve e mirëpriti atë si një fëmijë, e bëri njeri. E ndihmoi të studionte dhe të stërvitej, e rriti atë në çdo drejtim. E bëri ky që është jo vetëm në fushë, por edhe në jetën si njeri. Klubi bardhezi ishte si babai i tij”.
Së fundi, nëna e yllit të ri të Juves dhe Italisë konfirmon dëshirën e madhe të Kean, edhe brenda katër mureve të shtëpisë, ku nuk heq dorë nga “shoku” i tij më i mirë: “I jep atij një top dhe e bën të lumtur. Moise është i palodhur. Edhe pas një dite trajnimi, ai kthehet në shtëpi dhe gjëja e parë që bën është të driblojë me topin. Problemi është se më përfshin dhe mua, më do si rivale, kur argëtohet me topin…”
Siç përmend “Tuttosport”, Juventusi po përpiqet ta “blindojë” Moise Kean, sepse xhevahirin e ri po e lakmojnë disa klube, mes të cilëve Ajax dhe Milan. Ato u interesuan edhe në janar, por trajneri Allegri kërkoi që sulmuesi i ri të qëndrojë. Sidoqoftë, gjërat mund të ndryshojnë, nëse Kean nuk merr më shumë garanci për aktivizim sezonin tjetër. Topi, me pak fjalë, kalon këtë kohë tek Allegri…