Extra Nëse dëshiron të jesh i lumtur, jeto në Finlandë

Nëse dëshiron të jesh i lumtur, jeto në Finlandë

Finlanda është klasifikuar si vendi më i lumtur në botë për të dytin vit radhas, në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara. Edhe vendet e tjera nordike, si edhe Hollanda, Zvicra, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Austria hynë në 10 vendet më të lumtura në anketën ku u përfshinë 156 vende. Sudani i Jugut, u radhit i fundit. Edhe vende të tjera të goditura nga lufta ishin në fund të listës. Ballkani sjell një panoramë të përzier, por më tepër e anuar nga niveli i ulët i lumturisë. Por në këtë panoramë, Kosova është radhitur në vendin e 46-të mjaft lart në krahasim me shumë nga vendet e rajonit. Ndërsa Shqipëria është në ekstremin tjetër. E radhitur në vendin e 107-ë, ajo është vetëm një vend më lart se Venezuela.

Finlanda njihet për dimrin e ftohtë, pyjet e bukura dhe sistemin e gjerë të ndihmave sociale. Ekonomia e saj është e krahasueshme me atë të vendeve të tjera evropiane. Atëherë çfarë i bën finlandezët aq të lumtur? As ata vetë nuk janë shumë të sigurt.

Ekonomia jonë është në gjendje të mirë dhe nuk e di, ndoshta jemi vërtet pranë natyrës”, thotë Emilia, një avokate nga Helsinki.

Është e sigurt që nuk është moti, thotë një çift pensionishtësh.

Nuk mund të jetë klima. Kemi pasur një dimër shumë të gjatë dhe të errët. Por ndoshta është shkalla e sigurisë”, thotë Leena Vaisanen.

Këtu ke siguri. Nuk ke arsye të jesh i frikësuar gjithë kohën dhe mund t’u besosh njerëzve”, thotë Olli Vaisanen.

Lumturia në Finlandë, konsolidohet nga qasja në natyrë, siguria, kujdesi i përballueshëm për fëmijët, arsimi falas dhe kujdesi shëndetësor që subvencionohet. Edhe pjesa tjetër e 10 vendeve u renditën në krye të listës për arsye të ngjashme.

Është e kuptueshme se pse vende të prekura nga konflikti si Sudani i Jugut, Republika Qendrore Afrikane dhe Afganistani, radhiten në fund. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm dhe ekonomia numër 1 e botës, vazhdoi rënien duke zënë vendin e 19-të këtë vit. Raporti ia atribuon rënien në Shtetet e Bashkuara, depresionit shkaktuar kryesisht nga varësia tek droga, alkooli, kumari dhe media elekronike.

Vendet që kanë pasur rritjen më të madhe dekadën e fundit janë në Evropën Qendrore dhe Lindore, Afrikën Nënsahariane dhe disa në Amerikën Latine.

Jemeni, India, Siria, Botsvana dhe Venezuela kanë pësuar rënien më të thellë.

Raporti analizon faktorët që mund të ndikojnë tek lumturia e një vendi, si prodhimi ekonomik, mbështetja sociale, qeverisja, jetëgjatësia e shëndetshme, mungesa e korrupsionit dhe bujaria. Ai arrin në përfundimin se njerëzit ndjehen më të lumtur kur ndihmojnë të tjerët, por nëse e bëjnë këtë me dëshirën e vet.

Koha në rritje kushtuar mediave sociale, është e lidhur me rënien në nivelin e lumturisë, sidomos mes adoleshentëve.

Njerëzit e lumtur janë më të prirur të votojnë për udhëheqësit aktualë. Rritja e mbështetjes për politikanët populistë mund të jetë rezultat i aftësisë së tyre për të tërhequr votuesit e pakënaqur. Raporti thekson se ka shumë faktorë që përcaktojnë nivelin e lumturisë së një vendi, dhe nuk ka një shpjegim të thjeshtë për të gjitha ato.

Duhet t’iu kujtosh vetes kur do që të ankohesh për kohën, se jemi vërtet të lumtur këtu. Jemi duke shkuar të pijmë çajin e pasdites!”, thotë Leena Vaisanen.

Një gjë duket se është e qartë: Koha me diell nuk është garanci për lumturinë.