Më 3 janar Michael Schumacher do të festojë 50-vjetorin, ndërkohë që vazhdon të qëndrojë në vilën e tij në Gland të Zvicrës, ku praktikisht ka jetuar prej shtatorit 2014, kur u largua nga klinika ku po kurohej pas aksidentit në alpe duke bërë ski.
Për të ndihmuar në zbardhjen e aksidentit ka shërbyer një kamera e vendosur mbi kaskën e pilotit gjerman që ka regjistruar gjithçka. Video është në duart e familjes, por me siguri është një video që askush nuk dëshiron ta shohë më.
Pesë vjet pas incidentit, më në fund familja Schumacher thyen heshtjen dhe flet për kushtet reale të 7 herë kampionit të Formula 1, duke lumturuar miliona tifozë të tij.
“Të jeni të qetë, sepse Michael është në duar të sigurta, po bëjmë gjithçka të mundshme për ta ndihmuar”, thuhet në deklaratën e publikuar nga bashkëshortja. “Ju lutem të në mirëkuptoni për faktin që ne qëndrojmë të heshtur për gjendjen e tij pasi është një temë delikate. Njëkohësisht ju falënderojmë për dashurinë që keni treguar ndaj tij dhe ju urojmë gëzuar vitin e ri 2019”.
Ndërkohë, nga dita e nesërme tifozët e Schumacher dhe Formula 1 mund të shkarkojnë një aplikacion që mban emrin e tij ku mund të shohin të gjithë sukseset e arritura nga gjermani.
Një muze virtual, për të kujtuar më të mirën e një legjende të sportit siç është Schumi.