Sport Nga babai te Buffon dhe Dybala, rrëfehet Strakosha: Më paragjykojnë prej Igli...

Nga babai te Buffon dhe Dybala, rrëfehet Strakosha: Më paragjykojnë prej Igli Tares

Nga babai te djali, Nga Foto te Thomas; roli i portierit trashëgohet në këtë rast. Kjo dinasti i përket edhe historisë së Lazio tashmë. Strakosha, të dielën në Tiranë, do të ketë përballë kampionët e botës (Francën), mes shtyllave të kombëtares së Shqipërisë. Një mbrëmje festive për të inauguruar edhe stadiumin e ri, të ngritur mbi “hirin” e “Qemal Stafës”, siç quhej stadiumi i vjetër. E njëjta gjë, në të cilën, në vitin 2005, në një mbrëmje legjendare për futbollin shqiptar, kapiteni Fotaq Strakosha i dha lamtumirën kombëtares shqiptare (në të cilën luajti edhe Igli Tare), duke mposhtur kampionët europianë të Greqisë. Thomas ishte i vogël atëherë, 10 vjeç, ndërsa sot mbron portën e Lazio dhe kuqezinjve. “Corriero dello Sport” e intervistoi atë përmes telefonit, teksa ndodhet i grumbulluar me kombëtaren në Durrës. Thoma tregoi të gjitha emocionet e tij, përfshirë ëndrrën “Champions” nën urdhërat e trajnerit Inzaghi.

Përshëndetje Thomas, çfarë ndjenjash do të përjetosh mes shtyllave, në stadiumin e ri të Tiranës?

Emocione të mëdha, patjetër. Kampionët botërorë të Francës na presin në stadiumin e ri. Të luash kundër një ekipi kaq të fortë do të thotë të testosh veten dhe të përpiqesh të bësh një performancë të shkëlqyer. Një motiv tjetër është përurimi i stadiumit të ri. I bukur, modern, i sapo rinovuar. Maksimumi për një futbollist. Dhe, nëse mendoj se babai im ka luajtur në stadiumin e vjetër, do të jetoj një emocion të veçantë.

Duke menduar babanë tuaj, portierin e Shqipërisë në stadiumin e vjetër, çfarë imazhi ju kujtohet?

Ndodh që koha fluturon…, janë emocione të bukura. Ndeshjen e tij të lamtumirës me Shqipërinë isha në stadium me familjen. Nëse mendoj se jam bërë profesionist dhe tani mbroj portën e ekipit kombëtar, në të njëjtin stadium të rikonstruktuar në Tiranë, dridhem nga emocionet. Ishte viti 2005. Shqipëria fitoi 2-1 kundër Greqisë, që sapo ishte shpallur kampione Europe. Unë isha 10 vjeç. Tashmë e kisha vendosur që të bëhesha portier, pasi të rritesha. Në fund të lojës nuk hyra në fushë. Mamaja u sigurua që babai, së pari të festonte me ekipin, pastaj me familjen. Mbaj mend Briegel, ish-trajnerin. Ai e kishte detyruar të vazhdonte të luante, nuk e linte të ndalonte. Babai im kishte dashur të pensionohej më përpara, disa kohë.

Cili ishte zhgënjimi kryesor te Lazio?

Që kur nisa të luaj titullar, tri nga zhgënjimet më të mëdha kanë qenë: finalja ime e parë e “Coppa Italia”, që e humbëm 2-0 kundër Juventusit, humbja në “Europa League” kundër Salzburgut, por më shumë më dhemb disfata me Interin, më 20 maj, në “Olimpico”, kur humbëm kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Unë vija nga një javë mallkimi, për shkak të dëmtimit në shpinë. Në teori nuk duhej të luaja, por kisha frikë se nuk mund ta ndihmoja ekipin. Pastaj, me disa injeksione shkova në fushë. Ajo ndeshje ishte ndjenja më e keqe e karrierës sime.

Po momenti më i bukur?

Penalltia e pritur ndaj Dybala, në “Allianz Stadium”, veçanërisht për kuptimin dhe momentin e ndeshjes, në minutën e fundit. Ne nuk kishim fituar në Torino për 15 vite.

Si i përjetoni kritikat që merrni herë pas here?

Kritikat? Nuk ua vë veshin, nuk i dëgjoj. Kur më thonë se jam këtu vetëm sepse Igli Tare është shqiptar, mendoj: më mirë të më kritikojnë mua sesa skuadrën. Në Itali ka gjithmonë paragjykime.

Konsideroheni një portier, pritës penalltish…

Po mundohem që të përmirësohem në çdo aspekt, nuk e cilësoj veten një pritës penalltish, por shpresoj që të bëhem i tillë. Nuk ka sekrete të mëdha, me Grigioni studiojmë gjuajtësit e pastaj në moment vendos nga të hidhem.

Kush është portieri më i mirë?

Buffon është portieri më i mirë i të gjitha kohërave, një institucion që luan. Më vjen mirë që është rikthyer tek Juvja dhe e falënderoj për fjalët e mira që ka thënë ndaj meje. Kurse aktualisht portieri më i mirë është Handanovic.