Aktualitet Nga droni tek fishekët: Çfarë iu gjet rusëve në Gramsh dhe sa...

Nga droni tek fishekët: Çfarë iu gjet rusëve në Gramsh dhe sa vite burg rrezikojnë

Gjykata e Elbasanit jep sot masat e sigurisë ndaj dy shtetasve rusë dhe një ukrainas, të cilët u kapen tre ditë më parë pranë uzinës ushtarake të Çekinit në Gramsh. Të tre të arrestuarit kanë pranuar se janë pjesë e shërbimit të brendshëm rus.

Ata janë shfaqur të qetë para gjykatës, nga ku presin të njihen me masën e sigurisë.

Në dosjen e Prokurorisë janë zbardhur detaje lidhur me objektet e sekuestruar 3 shtetasve të huaj, në bazë të të cilave nga organi i akuzës është ngritur akuza se këta shtetas kanë ardhur në Shqipëri të infiltruar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara.

Mes objekteve të sekuestruara ka dhe municione, çka ka shtuar ndaj të arrestuarve edhe akuzën e mbajtjes pa leje të municioneve ushtarake.

Në dokument evidentohen materialet e sekuestruara nga 3 shtetasit tashmë të ndaluar nga policia. “U janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndër të tjera 1 automjet Chevrolet me targa AX 6200 IP: 2 drone; sasi te konsiderueshme monetare, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën (nightvision); 1 laptop, karta sim; hardisk i jashtëm; 1 (një) copë fishek model 56, kaliber 7,62 mm dhe 1 (një) predhe fisheku arme zjarri kalibër 12.7 mm, dokumente identifikimi dhe udhëtimi; pajisje kampingu të ndryshme, 1 bombul e përdorur ne formë spray neuroparalizuese: 6 telefona celulare.

Janë këqyrur pamjet filmike të Pikave të Kalimit Kufitar në të cilat rezultojnë shtetasit e mësipërm në momentin e hyrjes në territorin e RSH”.

Ndërkohë, sipas prokurorisë së Elbasanit “veprat penale për të cilat dyshohen personat nën hetim janë sipërcituar dhe sanksioni për to është më tepër se dy vjet burgim në maksimum”.