Sport Nga Godin, de Ligt e Koulibaly; Vieri analizon mbrojtësit: Maldini është më...

Nga Godin, de Ligt e Koulibaly; Vieri analizon mbrojtësit: Maldini është më i madhi

Christian Vieri është ndalur të flasë për mbrojtësit këtë herë. Si sulmues në kohën e tij kur luante në fushë, italiani analizoi mbrojtësit e skuadrave më të forta në Itali, duke zgjedhur më të mirët, por ai u ndal edhe të flasë për ata më të fortët, me të cilët është përballur.

Inter

“I marrë me parametër zero, Godin është një afrim i madh, pavarësisht se është 33 vjeç. Mbrojtës i jashtëzakonshëm, me eksperiencë të madhe në nivel të lartë. Ai, Skriniar dhe De Vrij janë mbrojtës të modës së vjetër, lojtarë që të sulmojnë trup në trup. Inter ka hedhur themele të çelikta”.

Conte

“Unë mendoj se ai do të fillojë me mbrojtjen me tre, dhe një mur si ai nuk është fare i keq. Pastaj, do të ketë nevojë edhe më shumë në merkato, në sulm, por mua më duket një fillim i mirë për të përshpejtuar vendosmërisht rritjen e filluar me Spalletin”.

Napoli

“Manolas është i fortë, me përvojë, i besueshëm. Ai ka luajtur në Itali për pesë vjet, një tjetër nga ata që dinë të mbrojnë veten”.

Koulibaly?

“Është shkatërrues. Sipas mendimit tim ne po flasim për mbrojtësin më të kompletuar në botë: këmbë të lehta, i shpejtë, i fuqishëm, agresiv”.

Juve gati për de Ligt

“Ata po bëjnë një goditje të fuqishme. Nuk është e nevojshme që të përshkruaj unë këtë mbrojtës të ri, tashmë i fortë, i afirmuar, madje edhe ekspert”.

Bonucci dhe Chiellini

“Nëse synoni të gjithë trofetë dhe Juventusi gjithmonë është i detyruar ta bëjë këtë – duhet të keni të paktën katër mbrojtës shumë të fortë. Dhe pastaj, në moshën 35-vjeçare, Chiellini duhet të menaxhohet me pak vëmendje. Juve shikon gjithmonë përpara, De Ligt është e ardhmja.

Milan

“Një epokë e re ka filluar tek kuqezinjtë, ne duhet të jemi të durueshëm me disa buxhete dhe me aksionet e fair play financiar. Sidoqoftë, Maldini dhe Boban janë njerëz serioz, të aftë, ata do të zgjedhin lojtarët e duhur të cilësisë të përshtatshme për Giampaolo. E përsëris shpesh: Milan është në duar të mira, tifozët duhet të qëndrojnë të qetë”.

Mbrojtësit tuaj të preferuar?

“E kam thënë më parë, Koulibaly është i jashtëzakonshëm. Dhe pastaj unë do të them Sergio Ramos”.

Mbrojtësi më i fortë që jeni përballur?

“Paolo Maldini ishte më i kompletuari nga të gjithë: ishte i madh, këmbë të forta dhe personalitet. Pastaj më kujtohet Jaap Stam: vërtet mbresëlënës, kurrë nuk kam parë një të tillë aq të madh dhe të shpejtë në të njëjtën kohë. Pa harruar Nesta dhe Cannavaro: cilësi e pastër!”