Cili është roli i vërtetë Roman Abramovich? Londra ka mbetur e befasuar nga vepra e fundit e oligarkut ish-pronar të Chelsea-t që sipas shumë burimeve është një ndërmjetës mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Funksioni ndërkombëtar Abramovich mund të jetë arsyeja pse SHBA – ndryshe nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian – nuk i ka vënë sanksione. Zelensky ia ka kërkuar personalisht presidentit amerikan Joe Biden ta kursejë të paktën për momentin miliarderin rus që po bën ndërmjetësin me Kremlinin, një rol të cilin, sipas Financial Times, Putin e ka aprovuar personalisht.
Por kush është Abramovich?
Ai mbeti jetim në moshën 3-vjeçare, por më pas u bë një nga njerëzit më të pasur në botë. Lidhjet e Roman Abramovich me Vladimir Putin i kanë zbehur reputacionin atij dhe bizneseve që zotëron kohët e fundit. Tashmë edhe një lajm për tentativën e helmimit të tij gjatë bisedimeve për paqe në Ukrainë.
Roman Arkadyevich Abramovich lindi në Saratov në Rusinë jugperëndimore, disa qindra milje nga kufiri me Ukrainën, në vitin 1966. Nëna e tij, Irina, vdiq nga helmimi i gjakut kur ai ishte 1 vjeç. Edhe babai i tij vdiq 2 vjet më vonë pas një aksidenti me një vinç ndërtimi.
Pas kësaj, Abramovich u rrit nga të afërmit, duke kaluar kohë në Komi, në Rusinë veriperëndimore, ku paratë ishin të pakta dhe temperaturat mjaft të ulëta gjatë dimrit.
Ai la shkollën në moshën 16-vjeçare, punoi si mekanik dhe shërbeu në Ushtrinë e Kuqe përpara se të shiste lodra plastike në Moskë. Më pas nisi të shiste parfumet dhe deodorantë duke ngritur pasurinë e tij.
Hapin e madh e bëri kur vendi drejtohej nga Mikhail Gorbachev që u dha më shumë hapësirë sipërmarrësve duke rritur të ardhurat. Me ardhjen e Vladimir Putin në pushtet u bë një nga aleatët e tij dhe më pas historia dihet.
Kush tentoi ta helmojë?
Wall Street Journal shkruan se ai udhëtoi mes Moskës, Lvivit dhe vendeve të tjera ku u zhvilluan negociatat, ku ishin të pranishëm edhe dy zyrtarë të lartë nga Ukraina. Ish-pronari i Chelsea dhe dy negociatorë ukrainas të paqes kanë pasur simptoma të helmimit. Ngjarja është e veshur nga misteri. Mbrëmjen e 3 marsit, ata u takuan në Kiev, pikërisht në zemër të territorit ukrainas. Më vonë atë mbrëmje, 3 prej tyre patën shqetësime.
Ata kishin lëkurë të përflakur, sy të irrituar dhe dhimbje të forta pas tyre. Simptomat zgjatën gjithë natën. Asnjë prej tyre nuk kishte ngrënë asgjë më shumë sesa çokollata dhe ujë.
Nga ana tjetër, sipas Shaun Walker, korrespondent i The Guardian në Evropën Qendrore dhe Lindore, një burim i mirëinformuar deklaroi se “Roman (duke iu referuar Roman Abramovich) humbi shikimin për disa orë” dhe u shtrua në spital në Turqi.
Specialistët e armëve kimike kanë shqyrtuar këtë rast dhe kanë arritur në përfundimin se besojnë se ishte i qëllimshëm. Por askush nuk e ka idenë se kush e bëri këtë.
Nuk ka ende asnjë marrje përgjegjësie. Janë të shumtë që besojnë se kjo mund të jetë dora e GRU, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë, të cilët britanikët e kanë bërë përgjegjës për helmimin më Novichok në rastin e Salisbury. Edhe nga pala ruse nuk ka asnjë fjalë se kush qëndron pas kësaj. Dikush, me sa duket, deshi të dërgonte një paralajmërim për ata që marrin pjesë në bisedimet e paqes. Kjo nuk ishte një dozë vdekjeprurëse, por ishte një paralajmërim.