Kryesore Olaf Scholz: Të çelen sa më shpejt negociatat me Shqipërinë

Olaf Scholz: Të çelen sa më shpejt negociatat me Shqipërinë

Kancelari gjerman Olaf Scholz po angazhohet fuqimisht për hapjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Scholz tha të hënën në Berlin, pas një takimi me homologen suedeze Magdalena Andersson, se të dy janë të mendimit se ka ardhur koha për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: “Çdo vonesë e bën Ballkanin Perëndimor më vulnerabël ndaj ndikimit të palëve të treta”, paralajmëroi Scholz.

Nuk është hera e parë që kancelari gjerman e shtyn përpara axhendën e zgjerimit. Çelja e negociatave aktualisht pengohet nga konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sofja kërkon që fillimisht të arrihet një marrëveshjeje për gjuhën e identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.

Shqipëria tani po përpiqet për çeljen e negociatave edhe pa  Maqedoninë e Veriut. Së fundmi në Berlin ishte kryetari i grupit parlamentar të maxhorancës së Shqipërisë, Taulant Balla, pikërisht për të lobuar për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e zgjerimit.