Aktualitet Nga ‘Kodra e Diellit’ te ‘Gjiri i Lalzit’, GJKKO sekuestron pasuritë e...

Nga ‘Kodra e Diellit’ te ‘Gjiri i Lalzit’, GJKKO sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziu

Dhjetra llogari bankare me vlerë mijëra euro, prona dhe apartamente, automjete e shoqëri tregtare në Shqipëri janë sekuestruar nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK që i përkasin dy kunetërve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu.

Princ Dobroshi nga Kosova dhe Olsi Syziu nga Shqipëria janë duke u hetuar nga në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt shtetit gjerman.

Në vitin 2020, Princ Dobroshi bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani. Gjithashtu rezulton se Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Kurse Olsi Syziu aktualisht po hetohet nga autoritetet gjermane për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike të një sasie të konsiderueshme”, si pjesëtar i një bande, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020 dhe më pas, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani, si dhe ka shpërndarë lëndë narkotike  në Gjermani.

Të dy kanë lidhje krushqie mes tyre, pasi Princ Dobroshi ka për bashkëshorte motrën e Olsi Syziut. Për shkak të hetimeve ndaj tyre në Gjermani, SPAK po i heton ata në vendin tonë për pasurinë nën dyshimin se është përfituar nga veprimtari kriminale.

Në mesin e pasurive të sekuestruara janë 10 llogari bankare me rreth 133 mijë euro gjendje, një vilë dykatëshe në gjirin e Lalzit, 3 apartamente në Tiranë, në zonën e Kodrës së Diellit dhe te Liqeni i thatë, një automjet i vitit 2015, si dhe një shoqëri tregtare me emrin ‘SLAI’.

 NJOFTIMI I SPAK:

Në zbatim të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, të ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin pasuror nr.5, datë 26.02.2024, në lidhje me pasuritë në zotërim të subjekteve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe personave të lidhur me ta.

Subjekti i këtij procedimi pasuror Princ Dobroshi, shtetas i Republikës së Kosovës, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Gjithashtu nga burime të hapura, siç janë mediat online, si dhe informacioneve të partnerëve, rezultonte se Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Subjekti tjetër i këtij procedimi pasuror Olsi Syziu, shtetas i Republikës së Shqipërisë, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike të një sasie të konsiderueshme”, si pjesëtar i një bande, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020 dhe më pas, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani, si dhe ka shpërndarë lëndë narkotike  në Gjermani.

Subjektet e hetimit pasuror kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin, pasi Princ Dobroshi ka për grua motrën e subjektit Olsi Syziu.

Nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë bërë hetime në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme prej subjekteve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe personave të lidhur me ta.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.10, datë 27.02.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve nën hetim pasuror Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe të personave të lidhur me ta.

Në zbatim të urdhërit të ekzekutimit të datës 29.02.2024, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga oficerët e shërbimit të Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e poshtë shënuara:

1- Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;

2-  Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;

3- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

4- Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

5-  Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;

6-  Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.

7-  Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.