Sport Nga Vanda Nara te Naingolani e Spaleti, ja si e ndryshoi Marota,...

Nga Vanda Nara te Naingolani e Spaleti, ja si e ndryshoi Marota, Interin në 10 ditë

Ndoshta çështja “Naingolan” ka nxjerrë në pah problemet e gjithë Interit. Ndoshta nuk ishte kjo strategjia e mediave. Megjithatë, diçka është e sigurt: zikaltrit kanë ndryshuar marsh. Jo në fushë, ku frenimi është i dukshëm: sepse fitoret ndërtohen jashtë, ndeshja është hallka e fundit e zinxhirit.

Xhuzepe Marota duket si një dizajner që hyn për të revolucionuar arredimin, duke nisur nga elementët kryesorë. I kanë mjaftuar dhjetë ditë kohë për të sistemuar publikisht bashkëshorten-menaxhere të kapitenit të skuadrës, blerjen kopertinë të merkatos së fundit, përveçse (në mënyrë më të heshtur) i ka sugjeruar trajnerit të skuadrës një dialektikë më pak agresive.

Ikardi, Naingolan dhe Spaleti: pra, Marota ka marrë në dorë kontrollin e Interit, ka riorganizuar shtyllën kurrizore të klubit dhe ka caktuar menjëherë një linjë drejtimi më të ashpër.

KTHESA

Vendimi për të vënë Naingolanin me shpatulla pas muri është pranuar edhe nga trajneri dhe drejtori sportiv, Auzilio, gjatë drekës së dy ditëve më parë në “Appiano Gentile”.

Por, sinjalin për të marrë masën e dha Marota. Nëse është e vërtetë që vonesa e së dielës është vetëm maja e ajsbergut e një serie sjelljesh jashtë normave (mes vonesash në mbledhje teknike dhe seancash fizioterapeutike të ndërprera përpara kohe) është po aq e vërtetë që bëmat e “Ninxhës” ishin toleruar deri tani, me shpresën që herët a vonë paraqitjet në fushë të mbulonin problemet. Marota ka bërë një kthesë të plotë.

Mjafton të kujtohet çështja “Bonuçi”, i dërguar në tribunën e “Estadio do Dragao” të Portos pas zënkës me Alegrin në ndeshjen paraardhëse kundër Palermos.

Të mbahet një qëndrim profesional: është ky “urdhri” i parë i rregullores së Marotës; nuk ekzistojnë rrugë të dyta, sepse kështu forcohet koncepti i grupit. Dhe Naingolan u ndëshkua në respekt të shokëve të skuadrës. Ndryshimi është bërë, ndër të tjera, edhe nga pikëpamja komunikative.

SINJALE

Në fund të fundit, grushti i fortë i përdorur me Ikardin dhe Vanda Narën lidhur me temën e rinovimit është i së njëjtës peshe: gjithçka që qëndron jashtë fokusit të Interit, nuk duhet më të interesojë.

Por, në këtë rast hapi ka qenë edhe më i madh. Nëse nuk do të merret për bazë hipoteza e një largimi të Naingolanit që në janar, do të thotë në njëfarë mënyre të vendoset në diskutim ndërtimi i Interit të madh, që për Interin vendosi në bilanc një investim prej 39,2 milionë eurosh.

Mesazhi, indirekt deri në një pikë, ka shkuar deri te Spaleti, i cili verën e kaluar bëri gjithçka për të transferuar belgun në Milano, duke sakrifikuar edhe Zaniolon. “Zikaltrit u detyruan të thonë po”, ka treguar disa ditë më parë Igor, babai i mesfushorit të Romës. Kanë kaluar gjashtë muaj, duket si një jetë e tërë. Për më shumë nëse mjaftojnë vetëm dhjetë ditë për të ndryshuar skenar.