Josilda Ndreaj është studentja shqiptare që është kthyer para disa ditësh nga Wuhani i Kinës, epiqendrën e shpërthimit të koronavorusit. Josilda u kthye pranë familjes në Golem dhe po tenton ta harrojë atë çfarë përjetoi në Kinë. Ajo ka dhënë një intervistë për Muhamed Veliun në Top Channel.
Muhamed Veliu: Cila ishte gjëja e parë që çove në mëndje kur more vesh se në Wuhan ku ndodhet edhe universiteti juaj ishte epiqendra e koronavirusit?
Josilda Ndreaj: Si fillim mendova të informohem sa më shumë për koronavirusin sepse për të gjithë ne ishte një situatë e re pasi informacioni nuk është ende në masën e duhur për ta kuptuar se çfarë virusi është. U informova në mënyra të ndryshme duke lexuar artikuj nga mediat kineze. Kjo ishte faza e parë e të kuptuarit çfarë po ndodhte.
Muhamed Veliu: Pasi u informove për situatën a krijoi kjo ndjesinë e panikut tek ju?
Josilda Ndreaj: Panik jo, nuk mund të them panik, por u përpoqa ta analizoj situatën pasi po të panikosesh kjo nuk është zgjidhje. Ruajta qetësinë.
Muhamed Veliu: Në universitetin ku ju studionit a kishte student të prekur?
Josilda Ndreaj: Jo. Në universitetin tonë s’ka asnjë student të prekur, madje vijojnë të merren masa për parandalimin e përhapjes së virusit në zonën e kampusit universitar.
Muhamed Veliu: Kur ishit në momentet e para të mbledhjes së informacionit, a kërkuat ndihmë në ambasadën shqiptare në Pekin?
Josilda Ndreaj: U përpoqa të komunikoj me konsullin e ambasadës tonë atje duke kërkuar ndihmë, por dua ta them se kërkesa ime ato momente nuk ishte fort konkrete pasi nuk arrija të kuptoja se ç’po ndodhte dhe prandaj nuk pata ndonjë ndihmë konkrete pasi mu tha që kërkesën time konkrete ta dërgoja përmes një emaili në adresën e ambasadës. Në atë fazë e kisha të pamundur të saktësoja çfarë ndihme më duhej se prioritare ishte marrja e informacionit çfarë po ndodhte pasi isha vetëm. Nuk vijova të kërkoj më tej ndihmë përmes emailave pasi mu desh të menaxhoja kohën e të realizoja zgjidhjen. Menaxhova situatën të kthehem sa më shpejt në Shqipëri ky ishte vendimi që unë mora nuk mund të vijoja të jetoja atje në gjendjen që isha.
Isha e pasigurtë për situatën sepse ato momente nuk arrin të kuptosh pasi gjërat ndodhin shumë shpejt pasi çdo ditë merr informacion se ka ngjarje nga ky virus dhe unë ndodhesha vetëm. Në qoftë se do të infektohesha apo diçka e tillë nuk kisha as mbështetjen e familjarëve dhe të ndonjë autoriteti tjetër. Për këtë arsye mendova se ishte më e mirë të distancohesha deri një moment tjetër.
Muhamed Veliu: Përse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?
Josilda Ndreaj: Në momentin kur virusi nisi të përhapej unë ndodhesha jashtë zonës së kampusit. Ato momente nuk e kuptoja realisht situatën pasi isha vetëm në një shtet të huaj pa mbështetjen e fakultetit dhe universitetit apo të ndonjë forme tjetër. Mendova të kthehem tek familja ime deri në një moment tjetër sa të ndryshojë situate.
Muhamed Veliu: Po studentët e tjerë shqiptarë atje me të cilët ju jeni në komunikim. Çfarë thonë do të vijojnë të rrinë apo duan edhe ata të kthehen?
Josilda Ndreaj: Mendoj se kjo nuk mbetet në vullnetin e studentëve shqiptarë pasi kufijtë atje janë të mbyllur e si pasojë nuk ka shumë mënyra transporti. Me sa jam e informuar ata janë në pritje të një udhëzimi të ri se si do të vijojë situata nëse do të jetë e mundur rrugëkalimi në territore të tjera apo do të hapet aksesi për të udhëtuar jashtë Wuhanit.
Muhamed Veliu: Më treguat se keni udhëtuar nga Shiani për në Pekin, në Milano për të mbërritur në Shqipëri. Çfarë ndodhi gjatë këtyre udhëtimeve përsa i përket kontrolleve?
Josilda Ndreaj: Në çdo zonë që kam kaluar jam kontrolluar duke nisur nga Shiani mund t’ju them se në sistemin e metrove kishte kontrolle të temperaturës. Më pas kur ti kalon në aeroport kontrollohesh se nga ti vjen. Ke dy ose më shumë kontrolle temperature në të gjitha pikat ku kalon. Edhe në Milano stacioni fundor për Air China u kontrolluam 3 apo 4 herë nga mjekët italian. Nuk na lanë, të dalim nga avioni pa u kontrolluar. Të gjithë pasagjerët u kontrolluan disa herë për siguri maksimale mendoj.
Muhamed Veliu: Po në Shqipëri kur mbërritët në aeroport çfarë ndodhi?
Josilda Ndreaj: Në Shqipëri gjithashtu me kontrolluan pasi vija nga Kina dhe kalova me sukses pa asnjë problem. Ishte e njëjta situatë pasi kisha kaluar kontrolle të mëparshme mbi tre filtra minimum. Në momentin që jam kthyer në Shqipëri dhe shikoj portalet e këtushme vërtet habitem pasi nuk e imagjinoj dot që të ketë kaq shumë informacion të montuar, i pavërtetë dhe pas asnjë lloj fakti e prove e burim informacioni. Më duhet të sqaroj se përdorimi i fjalëve kyçe apo termave për të fituar shikueshmëri cenon njerëz. Jo vetëm mua, por edhe familjet e studentëve të tjerë që ndodhen në Kinë. Me aq sa jam e informuar nga miqtë e mi familjet e tyre janë të frikësuara dhe në panik për fëmijët e tyre që ndodhen edhe në qytete të tjera të Kinës pasi informacionet që jepen janë jo reale e të pa bazuara në fakte.
Muhamed Veliu: Meqë sapo jeni kthyer nga Kina, çfarë do ti thonit familjeve të studentëve shqiptarë që janë ende atje?
Josilda Ndreaj: Ata nuk duhet të përfshihen në panik. Unë s’jam kompetente për të thënë më tepër në lidhje me situatën por shumë studentë shqiptarë ndodhen në zona të tjera që nuk janë prekur në të njëjtën mënyrë si Wuhan, por mbetet në vullnetin e tyre për kujdes e masa parandaluese dhe situata do të jetë më e lehtë për ata studentë.
Muhamed Veliu: A do të riktheni përsëri në Kinë për të vijuar studimet?
Josilda Ndreaj: Unë jam duke e vëzhguar situatën dhe mund të rikthehem në Kinë sepse do të më duhet të vijoj universitetin. Është diçka që vjen duke vëzhguar e më pas vepruar.
Muhamed Veliu: Për situatën në të cilën ishit kërkuar ndihmë përmes Top Channel të ktheheshit në Shqipëri. Si ishte reagimi pasi ne transmetuam atë kronikë?
Josilda Ndreaj: Menjëherë pas kronikës në Top Channel shumë njerëz u solidarizuan për të më ndihmuar dhe kjo ishte diçka që më habiti e bëri të kuptoj se ka shumë njerëz pozitiv. Më mbetet që ti falenderoj e t’ju jem shumë mirënjohëse të gjithë atyre që më ofruan ndihmë në një moment të tillë. Shumë faleminderit.