Keni vështirësi për të kuptuar anën tuaj të djathtë dhe anën tuaj të majtë kur drejtoni automjetin apo kur jepni udhëzime? Nuk jeni i vetmi sepse ka të dhëna shkencore që tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka këtë vështirësi.
Për njerëzit kjo nuk duket si diçka shqetësuese, por për mjekët kjo është një çështje tepër serioze. Një studim i ri nga Universiteti i Mbretëreshës Belfast në Irlandë, ka treguar se përcaktimi i drejtimit është një problem shqetësues. Përveç shumë kontrolleve dhe balancave në kujdesin shëndetësor për të parandaluar gabime të tilla për shkak të identifikimit të drejtimit, ekspertët kanë bërë thirrje gjithashtu që ky hulumtim të zhvillohet në mbarë botën për studentët e mjekësisë.
Ian Walsh, pedagog në këtë universitet, kreu një hulumtim me një grup studentësh të mjekësisë, ku vërejti se identifikimi i drejtimeve është një problem i madh për profesionistët e mjekësisë.
Së bashku me kolegët e tij ai u tregoi studentëve të mjekësisë një grafi të mushkërisë dhe mbi të drejtoi një rreze, më pas kërkoi nga studentët që të përcaktonin se në cilën anë qëndronte problemi. Asnjë prej studentëve nuk mundi ta identifikonte saktë rrezen.
Hulumtimi i ri u publikua në revistën Medical Education dhe u drejtua nga profesori Gerry Gormley. “Për sa i përket identifikimit hapësinor në përgjithësi askush nuk ngatërron drejtimet lart-poshtë, por përcaktimi i drejtimeve majtas-djathtas është një sfidë e madhe për disa njerëz,” shtoi Gormley
Gjithashtu, edhe mjeku Carl Breennan i cili mori pjesë në këtë studim, tregon se kjo aftësi është vërtet e rrezikshme në fushën e mjekësisë.
Sipas tij, studentët e mjekësisë duhet të jenë të përqendruar dhe të zgjidhin këtë problem. Mjekët cilësuan se një ndër veprimet më të mira për të ndryshuar këtë fakt, janë një sërë ushtrimesh përqendrimi. Ekspertët theksuan se profesionistët e mjekësisë, të cilët e kanë këtë problem mund të krijojnë komplekse në kujdesin shëndetësor të pacientëve.
Gormely shprehet se është e rëndësishme që ky hulumtim të përkthehet në praktikë sa më parë.
“Ne mund të bashkojmë studentët e mjekësisë me studentët e tjerë, për të krijuar lojëra të ndryshme që kanë të bëjnë me identifikimin e drejtimit, në mënyrë që të ndërgjegjësohen për gabimin e tyre,” u shpreh ai.