Kulturë Ngatërrove radhën Xhodë! Të rrije edhe ca!

Ngatërrove radhën Xhodë! Të rrije edhe ca!

Nga Agim Xhafka

Ngatërrove radhën Xhodë! Të rrije nga fundi i varganit. Pas vitesh e vitesh duhej të tregoje pasaportën atje te dera e Parajsës. Që të ikje i qeshur, i ngopur, i kënaqur.

Por ja, që ti i maturi në jetë e në filma kapërceve klonin dhe u derdhe linkthi drejt errësirës. Të shtyu sëmundja, dhimbja, por mbase motiv kishe dhe filmin, teatrin, skenën, kolegët, artdashësit, se ajo ndërtesë që po bëhet lakmi e vjedhjes ishte tempulli yt. Me shfaqje që u shiteshin biletat dy javë para. Në atë oborr lëviznin korifej. Tani ruhet nga rrënimi prej misionarësh që fe kanë traditat dhe historinë.

Shteti e ka harruar artin. Shteti i ka hipur fadromës dhe shëtit si i marrë mbi betoniera. E di që nuk më dëgjon. E di që s’ma vë veshin. Por edhe unë nuk po e besoj lajmin. Është fake. Xhevdet Ferri rron. E kam te CD në shtëpi. Siç e kanë mijëra familje. Ja,e hapa “Përrallë nga e kaluara “Ja ku je. I ri, i shëndetshëm, i pashëm. Si doje të na lije kur ne të kemi salduar te TV dhe DVD e shtëpive.

Xhodë, më dhembi zemra nga lajmi i zi. Mbase do mësohem me largimin tënd. Ama kur moshatarët e tu vite e vite më pas do ecin avash-avash e me karroca, apo bastun ti do u dalësh para si kaçaku i filmit. Do qeshësh e do bësh romuze me ta. “Hë mo e bëni dot shurrën?”, do u thuash. Atëherë ata do të kenë zili ty që në përjetësi do të quhesh djalosh.

Djalosh dhe bukurosh.

Xhodë, të rrije dhe ca. Që sot më mori malli!