Një ngjarje skandaloze, që riktheu futbollin shqiptar shumë vite mbrapa, ishte ajo që ndodhi gjatë mesditës së sotme, ku një grup njerëzish sulmuan disa nga futbollistët e Skënderbeut.
Incidenti u regjistrua në hyrje të stadiumit “Redi Maloku” të Fushë Krujës, ku korçarët kishin udhëtuar për t’u përballur me skuadrën e Kastriotit, në kuadër të javës së 20 të kampionatit.
Vetëm pak minuta më parë, klubi korçar reagoi nëpërmjet një deklarate zyrtare, ku bëri thirrje për hetimin dhe zbardhjen e këtij “akti të mirë-organizuar” siç e cilësuan ata.
Klubi i Skënderbeut, shkoi edhe më tej, duke kërcënuar se nëse nuk do të merren masa, atëherë do të rishikohet pjesëmarrja e skuadrës në garë, ndërsa theksoi se sot vetëm për futboll nuk mund të flitej.