Oqeanet në Tokë patën një rritje rekord të temperaturave vitin e shkuar, ndërkohë që rritja globale vijon të përshpejtohet. Sipas shkencëtarëve, shkalla e ngrohjes me të cilën po përballen oqeanet përgjatë 25 viteve të fundit është ekuivalente me energjinë e prodhuar nga 3.6 miliardë bomba atomike.
Ndryshimet klimatike kanë sjellë rritje të shpejtë të temperaturës së ajrit në sipërfaqen e globit që prej 1950s, ndërsa 2016-ta mban rekordin si viti më i nxehtë.
Një studim i ri mbi impaktin e ngrohjes së oqeaneve zbuloi se ujërat në 2019-n ishin më të ngrohtët të regjistruar ndonjëherë më parë në historinë e njerëzimit, duke u rritur me 0.075 mbi mesataren e 1981-2010.
Shkencëtarët thonë se oqeanet pasqyrojnë më së miri ngrohjen e globit, pasi thithin më shumë se 90 përqind të nxehtësisë së tepër që ndodhet në Tokë.
“Kjo matje e ngrohjes së oqeaneve është e pakundërshtueshme dhe është provë e mëtejshme që tregon për ngrohjen globale”, tha Lijing Cheng, drejtues i studimit të publikuar Advances In Atmospheric Sciences.
Për t’u rritur deri në këtë nivel, oqeani duhet të ketë thithur 228,000,000,000,000,000,000,000 xhaul energji.
“Po, në fakt janë shumë zero. Sasia e nxehtësisë që u kemi futur oqeaneve në botë përgjatë 25 viteve të fundit është e barazvlefshme me 3.6 miliardë shpërthime të bombave atomike Hiroshima“, tha Profesori Cheng.
Duke analizuar të dhënat me metodat e reja për t’i krahasuar me trendet e ngrohjes të shtrirë në kohë deri në 1950, shkencëtarët zbuluan se 5 vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat, të regjistruar ndonjëherë më parë.
“Ngrohja globale është reale dhe po përkeqësohet. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut, për atë që po vjen. Fatmirësisht mund të bëjmë diçka për këtë. Mund ta përdorim energjinë më me zgjuarsi dhe mund të diversifikojmë burimet tona të energjisë. Ne kemi pushtetin për ta reduktuar këtë problem”, shprehet profesori John Abraham, bashkëautor në studimin në fjalë.