Sport Nis operacioni “fshesa”, Barça do të largojë të padëshiruarit për blerjet e...

Nis operacioni “fshesa”, Barça do të largojë të padëshiruarit për blerjet e reja

Barcelona do të provojë të sjellë në “Camp Nou” Lautaro Martinez dhe një mbrojtës mes Milan Skriniar dhe Mathijs De Ligt, ndërsa Pjanic mund t’u bashkohet katalanëve vetëm me formulën e shkëmbimit

Barcelona duket e vendosur për të marrë në “Camp Nou” sulmuesin argjentinas Lautaro Martinez, për t’i plotësuar dëshirën edhe yllit të skuadrës Lionel Messi, por për ta bërë këtë, do të duhet që të paguajë 111 milionë euro në arkat e Interit, në periudhën mes 1 dhe 15 korrikut.

Kjo pasi klauzola e prishjes së kontratës mes zikaltërve dhe sulmuesit argjentinas vlen vetëm për këtë periudhë dhe më herët ose më vonë, klubi nga Milano nuk ka dëshirë të privohet nga një futbollist të cilin trajneri Conte e vlerëson shumë.

Pikërisht për këtë arsye Barcelona ka nisur fushatën “fshesa” dhe synon që brenda muajit qershor të largojë një pjesë të mirë të lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në projektin e saj për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të sigurojë paratë e nevojshme për Lautaron.

I pari në listë është portugezi Nelson Semedo, që nuk ka arritur të shndërrohet në titullar te Barcelona, por që vlerësohet shumë nga Pep Guardiola te Manchester City dhe klubi anglez duket se është gati të paguajë 40 milionë euro për kartonin e tij.

Përveç portugezit, një tjetër emër që pritet të sjellë para kesh në arkat e katalanëve, është ai i brazilianit Philippe Coutinho, i cili është në huazim te Bayern Munchen, por gjermanët nuk kanë ndërmend ta ushtrojnë të drejtën e blerjes.

Për fantazistin brazilian interesohen klube të ndryshme në Premier League, ndërsa Barcelona është gati të ulë pretendimet në 70 milionë euro, për t’u liruar nga një lojtar me pagë të lartë, por që nuk është pjesë e projektit të klubit.

Edhe dy francezët, Antoninne Griezmann dhe Ousmane Dembele janë me valixhe gati dhe pritet të lënë “Camp Nou”-n këtë verë, ndërsa plani i katalanëve është përfshirja e të dyve në marrëveshjen që do të rikthente sërish në Spanjë brazilianin Neymar.

Dembele, Griezmann dhe Mbappe janë partnerë edhe në sulmin e kombëtares së Francës, ndaj tani kanë shansin të bëhen sërish bashkë me fanellën e PSG-së, ndonëse vlen të theksohet se bosi i kryeqytetasve Nasser Al Khelaifi preferon njërin prej tyre dhe një sasi parash kesh, duke qenë se ka ndërmend të tjera investime.

Pas realizimit të këtyre shitjeve, Barcelona do të provojë të sjellë në “Camp Nou” Lautaro Martinez dhe një mbrojtës mes Milan Skriniar dhe Mathijs De Ligt, ndërsa Pjanic mund t’u bashkohet katalanëve vetëm me formulën e shkëmbimit me ndonjë tjetër lojtar.