Pas 10 ditësh në detyrë si Prokurore e Përgjithshme, Arta Marku ka firmosur lëvizjet e para në organin e akuzës.
Drejtoresha e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, Rovena Gashi është lëvizur nga ky post, për t’u zëvendësuar me njërin nga garuesit me Prokuroren e Përgjithshme Marku, Arqile Koçin, prej vitesh prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Arqile Koçi do të ketë gjithashtu nën varësi edhe sektorin, që sipas ligjit të dekriminalizimit, verifikon integritetin e zyrtarëve.
Ndërkohë, prokurorja Rovena Gashi është caktuar prokurore pranë sektorit të dekriminalizimit, pikërisht sektor në të cilin Gashi firmosi së fundmi kërkesën për heqjen e mandatit për dy deputetet Aqif Rakipi dhe Gledion Rahovica.
Për këtë lëvizje reagoi Partia Demokratike që e cilësoi si një hakmarrje direkte e Kryeministrit Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi.
Lëvizjet e kryeprokurores Marku kanë vazhduar me Alketa Ziflën, që e ka marrë si krahun e saj te djathte, si shefe kabinet.
Me këtë emërim, nisin edhe lëvizjet e para në prokurori.
Drejtimin e prokurorisë më të madhe në vend, Tiranën, do ta drejtojë Dritan Rreshka, i diplomuar për magjistraturë dhe një nga liderët e njësisë Task Forcë të ngritur vite më parë me mbështetjen e amerikanëve.
Rreshka zëvendëson ish-eprorin e tij Petrit Fusha, i cili kalon prokuror sektori për çështje të veçanta.