Sport Një afrikan mund të jetë sulmuesi i ri i Kombëtares shqiptare

Një afrikan mund të jetë sulmuesi i ri i Kombëtares shqiptare

Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olayinka, po kalon një nga sezonet më të mirë të karrierës me skuadrën e Slavia Pragës. Ekipi i tij humbi ndeshjen e parë në Europa League kundër Chelseas me rezultatin 0-1, ndërsa nigeriani ka humbur mundësinë të luajë në “Stamford Bridge”. 23-vjeçari ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin e tij.

Ideja e pajisjes me pasaportë shqiptare mbetet një realitet për Olayinken. Ai ka luajtur për 4 vite në Shqipëri, pasi ka veshur fanellën e Bylisit e më pas atë të Skënderbeut ku fitoi dhe kampionatin. Përfaqësimi në Europë me ujqërit e dëborës solli dhe largimin nga Shqipëria drejt Belgjikës, e më pas në Çeki.

Sulmuesi ka shprehur gatishmëri për të luajtur me kombëtaren tonë, ndërsa një lajm i tillë konfirmohet sërish nga media nigeriane “Brila.net”, që shkruan se mundësia e afrimit të Olyinkes me Shqipërinë është krejtësisht e mundshme.

Shtatlarti mund të jetë i pari i huaj që mban veshur fanellën kuqezi, por në realitetin që jetojmë është diçka krejtësisht normale. Duke parë se alternativat në sulm nuk i kemi të shumta, nigeriani do të ishte një vlerë e shtuar për ekipin tonë.