Extra Një çmenduri e radhës – milioneri rikrijon Fortnite në një ishull privat

Një çmenduri e radhës – milioneri rikrijon Fortnite në një ishull privat

Vitet e fundit, kemi parë çudira nga më të ndryshmet nga ana e njerëzve të pasur, të cilët nuk humbin kurrë shansin për të shpenzuar para’ në mënyra nga më të çuditshmet.

Çmenduria e fundit, duket se ia kalon gjithë të tjerave, madje nga mediat italiane është cilësuar si çudia e vitit.

Sipas ueb-faqes “Hush Hush”, një milioner, i cili preferon të qëndrojë anonim, do të rikrijojë eksperiencën e Fortnite në jetën reale dhe po kërkon një autor lojërash që mund ta ndihmojë në organizimin e eventit, shkruan oranews.

Si do ia arrijë?

Duke transformuar një ishull privat në një skenar të përshtatur për llojin e ‘battle royale’ (lufta mbretërore), videolojëra të veçanta që parashikojnë luftimet deri në pikën e fundit të gjakut mes 100 personave, derisa të qëndrojë vetëm një njeri.

Iniciativa nuk parashikon se pjesëtarët duhet të vriten mes tyre, por do i japë çdo pjesëmarrësi pistoleta ‘softair’ dhe armaturë të ndjeshme ndaj prekjes, të cilat do tregojnë kur një nga konkurrentët është goditur.

Fituesi i turneut do çojë në shtëpi një çmim prej 100 mijë stërlina.

Sipas projektit të milionerit, një ishull privat do shërbejë për këtë dhe do transformohet në ambientin e përshtatshëm për “battle royal” për t’i dhënë jetë një gare që do zgjasë për tre ditë, duke vënë kundër njëri-tjetrit 100 pjesëmarrës për 12 orë në ditë.

Gjatë natës, sfidantët mund të fushojnë për të rimbledhur forcat, pasi organizatori ofron kushte për qëndrim dhe banim.

Themeluesi i “Hush Hush”, Aaron Harpin, ka deklaruar se klienti i tij ka ndërmend ta transformojë këtë ide në një event të përvitshëm nëse turneu rezulton i suksesshëm.

Autorët aspirant mund të dërgojnë CV-të e tyre në saitin e Hush Hush.

Autorët që do përzgjidhen për lojën, do angazhohen në realizimin e projektit për gjashtë javë, gjatë të cilave do marrin 1.500 stërlina në ditë (me një total prej 45 mijë stërlinash).