Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, është nderuar për “guximin e saj të madh moral dhe politik” në mbështetjen e azilkërkuesve.
68-vjeçarja mori përgëzimet teksa iu dha çmimi Nansen nga agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) të martën.
Gjatë mandatit të Merkelit, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në kulmin e krizës së emigrantëve 2015-16.
Në atë kohë, Merkel tha se fluksi ishte “një provë për vlerat evropiane si rrallë herë më parë”, duke treguar humanitet.
Duke komentuar çmimin, shefi i UNHCR-së Filippo Grandi vlerësoi vendosmërinë e ish-kancelares Merkel për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe parimet humanitare.
“Duke ndihmuar më shumë se një milion refugjatë për të mbijetuar dhe rindërtuar jetën e tyre, Angela Merkel ka treguar guxim të madh moral dhe politik. Ishte një udhëheqje e vërtetë që bëri thirrje për dhembshurinë e të gjithëve ne, duke qëndruar e palëkundur kundër atyre që predikonin frikën dhe diskriminimin. Ajo tregoi se çfarë mund të arrihet kur politikanët ndjekin rrugën e duhur dhe punojnë për të gjetur zgjidhje për sfidat në vend që thjesht të zhvendosin përgjegjësinë tek të tjerët”.
Vendimi i Merkelit për të lejuar kaq shumë emigrantë nxiti partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë dhe rezultoi në protesta nga një pakicë e zëshme. Ajo u kritikua gjithashtu nga disa qeveri se ishte shumë miqësore me refugjatët kur disa shtete partnere të Bashkimit Evropian po mbyllnin kufijtë për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Çmimi Nansen, i dhënë çdo vit, u krijua në vitin 1954 për nder të Komisionerit të parë të Lartë të OKB-së për Refugjatët, eksploruesit norvegjez arktik dhe humanitar Fridtjof Nansen (1861-1930), për të shpërblyer arritjet e jashtëzakonshme në humanitarizëm.
Merkel do të marrë çmimin e saj, i cili vjen me një vlerë prej 151,000 eurosh gjatë një ceremonie në Gjenevë, Zvicër më 10 tetor.