Sport Inter befason Barcelonën, Napoli luan tenis ndaj Ajax, Liverpool rigjen fitoren

Inter befason Barcelonën, Napoli luan tenis ndaj Ajax, Liverpool rigjen fitoren

Inter ka arritur të fitojë me rezultatin 1-0 ndaj Barcelonës, në ndeshjen e zhvilluar në San Siro.

Heroi i zikaltërve ishte Hakan Çalhanoglu, i cili i dha 3 pikë shumë të vlefshme Interit me golin e tij nga jashtë zone, në minutën e fundit të pjesës së parë.

Kristjan Asllani u aktivizua vetëm në minutën e 85 të ndeshjes, që pati disa ndërhyrje të VAR-it.

Me këtë sukses, zikaltërit ngjiten në vendin e dytë të grupit, me 6 pikë, 3 më pak se kryesuesit e Bayern Munchen, ndërkohë që Barcelona renditet e treta, me 3 pikë pas 3 ndeshjeve të para.

Napoli kompleton mrekullinë e tretë në grupin A të UEFA Champions League duke i dhënë një leksion edhe Ajaksit në “Johan Cruyff Arena” me fitoren e ekzagjeruar 6-1.

Holandezët shënuan të parët me Kudus por më pas uragani i kaltër nuk u ndal as në një dhe as në dy por në plot 6 gola ku protagonist ishte Raspadori me dy realizime ndërsa Kvaratchkelia la sërish gjurmë e bashkë me të edhe Simeone, Zielinski e Di Lorenzo.

Pikë të plota, 9 për Napolin kryesues dhe tre të parat për Liverpool në po të njëjtin grup pas suksesit 2-0 ndaj Rangers FC. Në “Anfield Road” skuadra e Jurgen Klopp u kthye te fitorja me golat e Alexander Arnold dhe Momo Salah.

Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, surpriza e madhe është Club Brugge që kaloi 2-0 Atletico Madrid dhe qëndron në krye të grupit B me 9 pikë. Me të njëjtin Rezultat Porto fitoi ndaj Bayer Leverkusen duke regjistruar 3 pikët e para.

Në grupin D, pas fitores së Marseille, Eintracht Frankfurt dhe Tottenham ndanë një barazim pa gola dhe vendin e dytë me nga 4 pikë për kokë.