Kryesore Një intervistë ndryshe me inxhinieren Luljeta Bozo, gruaja që “vrau” tërmetin

Një intervistë ndryshe me inxhinieren Luljeta Bozo, gruaja që “vrau” tërmetin

Nga Rudina Xhunga

Shqiptarët e Mrekullueshëm sjell zyshën yll të Inxhinierisë. Zonja që “vrau” tërmetin, që na ngrohu zemrat dhe mbajti mendjen. I shkuam në shtëpi, t’i çojmë lulet e Krishtlindjeve dhe ta pyesim po ajo vete, si është? Na tregoi se është mirë dhe energjinë në moshën 77-vjeçare ia jep vetëm puna. Na tregoi ku jeton, ku punon, na rrëfeu se është një grua e zakonshme si mijëra të zakonshëm të tjerë në këtë vend, që i kanë nxjerrë në pension dhe nuk ua duan mendjen. Por unë nuk pres të më kërkojnë, tha profesoreshë, Luljeta Bozo. Unë vij e jap një dorë, vetë, pa më thënë, që kjo Shqipëri t’ia dalë. Se e dua. Edhe ne të duam. Ti je shpresa jonë, se vlera vjen një ditë dhe del në skenë.

Rudina Xhunga: E gjetët pak kohë për ne? Sepse ju mbytën!

Luljeta Bozo: Po patjetër, për Rudinën do ta gjeja se s’bën (qesh). Po nuk i kam thënë për dy arsye. Unë nuk kam qejf hiç të dal në televizione. Po fakti që dalja ime i paska qetësuar njerëzit.

Rudina Xhunga: E ndjeni këtë gjë?

Luljeta Bozo: E ndjej shumë sepse nuk guxoj të eci 10 metra në rrugë, të takoj njerëz që nuk i njoh që më përqafojnë, që thonë shyqyr që na qetësove. Dhe mundohem me fjalë fare të thjeshta të tregoj se kjo nuk është fatkeqësi, është një fenomen natyror, që ndodh, dhe që ne duhet të mësohemi që jemi në këtë vend. Ndaj duhet të marrim masat, që të mos përjetojmë ato më të rëndat, që të iki jeta e njeriut, po dëme do të ketë. Çdo tërmet do të ketë dëme.

Rudina Xhunga: Ishit vetëm te kjo shtëpia, që nuk i ka ndodhur asnjë gjë, vetëm një pikturë ka lëvizur?

Luljeta Bozo: Asnjë gjë fare. Kjo shtëpi është shumë e vjetër. Afërsisht po afrohet te 100 vjeç. Është e 1932-shit, është ndërtuar nga italianët, është ndërtim i përsosur.  Aq e fortë muratura, sa t’i biesh me barre, nuk hapet. Ka bodrum,  që është një avantazh shumë i madh. Të gjitha godinat që kanë bodrume janë më të sigurta. Dhe është në zonën më të mirë të Tiranës.

Rudina Xhunga: Cila është zonë e mirë? Që nuk është sizmike?

Luljeta Bozo: Zonë e mirë e Tiranës, është gjithë ky trualli që fillon që nga Kinostudio, deri afër Pallatit me Shigjeta. Kjo zonë është e përbërë nga argjile të kuqe, të çimentuara, që janë shumë të forta. Dhe sa më i fortë të jetë trualli, aq më i sigurt është në rastin e  lëkundjeve sizmike. Pse ndodhi gjithë ajo katastrofë në Kënetë? Sepse është Kënetë, i ka formacionet shumë të buta, ka shumë lëndë organike, deformohet shumë.  Një nga studentët e mi, që janë të fushës së gjeoteknikës, që i kam shumë të mirë, edhe vjet edhe sivjet, vajti vetë në zonën e Kënetës, për të vërtetuar këtë fenomenin e lëngëzimit, që e kanë mësuar në teori. Dhe filloi me këmbë të vibronte tokën, dhe pa që pas 1-2 minutash ajo u bë gjithë pellg uji. Ky është fenomeni i lëngëzimit. Kur ndodh lëngëzim shumë i fortë, këto lloj dherash prishin strukturë, nga dhe kthehen në llum. Dhe çfarë është ndërtuar atje, zhytet. Edhe atje ndërtohet, por duhen masa të veçanta për objektin që të mos pësojë si ai objekti që u zhyt katër kate, dhe mbeti vetëm çatia. E përpiu.

Rudina Xhunga: Ju shkuat, i patë?

Luljeta Bozo: Atë e pashë në televizor. Dje kam qenë për herë të parë në Durrës, sepse s’kam pasur kohë se nuk më kanë lënë televizionet. Dje shkova me studentët për të parë dhe kam përshtypjen se dëme janë bërë shumë, por nuk janë të gjitha të atilla që duhet të shkatërrohen. Dhe jam e bindur për  këtë. Vendimin nëse duhet të shkatërrohet apo jo, nuk mund ta marrë një grup me tre veta nga njësia vendore. Për mua është shumë e gabuar. Sepse është kollaj të thuash do të shkatërrohet. Të ndërtosh jo shkatërrosh ta forcosh, jo vetëm ta biesh në gjendjen që ka qenë por edhe më mirë se aq me metodat që ekzistojnë sot. Ai ka investuar gjithë jetën e tij aty, kursimet, tani me një fjalë goje ta shkatërrojmë? Për ta shkatërruar është shumë kollaj. Futi dinamitin, e hodhe në erë mbaroi puna. Unë mendoj që ka një kategori që është shumë e vogël, që vërtet nuk qëndron në këmbë. Atje nuk mund të ndërhysh. Po këtë mendim e japin vetëm inxhinierët shumë të zotë.

Rudina Xhunga: A kemi inxhinierë shumë të zotë ne? Sepse frika është krijuar sikur nuk ka, që kanë ikur.

Luljeta Bozo: Kemi. Kanë ikur, por ka ende shumë. Dhe kemi inxhinierë jashtëzakonisht të mirë, që kanë  provuar mbi veten edhe tërmete më parë, dhe që kanë qenë në situata shumë të vështira që i kanë dhënë zgjidhje, që kanë një eksperiencë të pafund në projektim dhe zbatim. Ata janë në moshën, mendoj unë 60-70 vjeç. Është tamam mosha që ata kanë eksperiencën, merri futi në grup. Jam 1000% e sigurt, që asnjë nga inxhinierët nuk do të thotë që nuk vij.

Rudina Xhunga: Juve ju ftuan apo shkuat vetë?

Luljeta Bozo: Jo, jo, mua më kanë ftuar njerëzit. Nuk pres ftesa. Ka pak burokraci në këto gjëra, mendoj unë. Që mblidhemi diskutojmë, bëjmë llafe shumë, nuk ka kohë për llafe tani, është koha e veprimit. Dhe ato njerëz që duhet të jenë në shtab duhet të jenë shumë operativ, që do të thotë ta njohësh shumë mirë situatën dhe ta menaxhosh mirë. Dhe nuk jam fare e mendimit, që oburra t’i fusim dinamitin edhe për një arsye tjetër, në qoftë se ai vërtet ka qenë një objekt  i projektuar dhe ndërtuar keq, a ka dikush përgjegjësi për këtë? Ka. Tani, kur i vure dinamitin, i zhduke provat fizike, nuk është normale. Lerë atje aq kohë sa të merren të gjitha të dhënat që duhen, dhe pastaj nëse është i pariparueshëm fare, dhe rrezikon jetët e njerëzve, atëherë po, futi dinamitin.

Rudina Xhunga: Ju ku e gjeni gjithë këtë qetësi? Flisni me një qetësi, që tërmeti është një fenomen natyror që do të ndodhë, mbarojë?

Luljeta Bozo: Po kështu është, (qesh).

Rudina Xhunga: Është, por njerëzit, janë në panik, ende.

Luljeta Bozo: Ajo frikë ka dy arsye. Si fillim tërmeti është i frikshëm. Po varet si e përjeton, dhe frika përjetohet shumë më qetë kur nuk ke dëme, dhe në qoftë se ti e njeh si fenomen, nëse ti pajtohesh me idenë që herë pas here do të lëkundesh.

Rudina Xhunga: Por s’e kemi ditur që Shqipëria është vend sizmik.

Luljeta Bozo: Po pra, është mungesë informacioni. Duhet të fillojë që në shkollë fillore. Kur ra tërmeti, stërmbesa ime e madhe, që s’i ka mbushur 8 vjeçe, u tremb, sepse ç’është e vërteta nuk ishte shumë i fuqishëm, por zgjati shumë. 30 sekonda janë shumë. Ngrihet e shqetësuar për mamanë e vet që është shtatzënë dhe i thotë: “Mami mos u shqetëso, se ne na tha mësuesja, që ne jemi mbi pllaka, që lëvizin dhe ne lëkundemi.” Domethënë nëse fillon që në këtë moshë, të shpjegosh për tërmetin, pse ndodh, si duhet të reagojmë. Lëkundjet ndihen sipas truallit dhe këtë duhet ta ketë si informacion njeriu që duhet ta dijë, para se të marrë një shtëpi. Dhe pastaj ka shumë rëndësi, se kush është veprimi i parë që duhet të bësh gjatë tërmetit. Duhet të edukohet njeriu me këto masa dhe jo të ngrihen të gjithë si të çmendur edhe pse nuk kanë faj, sepse të kap tmerri. Me 21 shtator, në tërmetin e parë, të gjithë ata që u sëmurën e u plagosën, ishin nga evakuimi i çmendur. Të tërë vraponin për shkallë, u rrokullisën, thyen këmbë e duar, dhe përfunduan të gjithë nëpër spitale. Në momentin që bie tërmeti, mos lëviz nga vendi fare. Ke një tavolinë të fortë, futu poshtë tavolinës, ose nëse je i sigurt që dera sipër ka një tra futu aty. Më pas hidhi një sy shtëpisë, çfarë ka ndodhur. Ka plasur ndonjë  gjë, është çarë ndonjë mure, po shikon që kolona është shkëputur nga trau, ik përjashta. Po si pe fle gjumë, unë ashtu bëra. Unë isha zgjuar, po mendohesha të ngrihesha, po u tunda si në djep 77 vjeçe. Kur mbaroi u ngrita pashë shtëpi dhe pastaj fjeta. Dhe s’ke çfarë bën, ajo është një gjë që s’e komandon ti, nuk pyet kur vjen. Deri tani thonë që do ta parashikojnë 3-4 orë përpara, uroj që ta parashikojnë, po deri tani nuk ka dalë njeri të thotë do të bjerë tërmeti pas kaq orësh.

Rudina Xhunga: Informacione pra, edukata, këto na mungojnë dhe duhet t’i kthejmë në shkolla?

Luljeta Bozo: Duhet t’i kthejmë patjetër dhe të insistojmë në këto gjëra që janë të pritshme në territorin tonë. Sepse në territorin tonë ne kemi tërmete, kemi rrëshqitje pa fund, pse? Sepse ne jemi zonë kodrinore malore. Në territorin tonë kemi shumë lumenj dhe shumë përmbytje që s’duhet t’i kemi po të marrim masat. Kemi shumë formacione shkëmbore, që i shikon anës rrugës, që janë të  çara dhe ke rrezik të rrokulliset, të shkëputen shkëmbinjtë në rrugë. Pra fenomene që duhet t’i njohim.

Rudina Xhunga: Lum kush ju ka pasur zyshë juve. E dini kë më kujtoni? Marie Curie.

Luljeta Bozo: Faleminderit shumë, dikur ma kanë pas vënë këtë epitet.

Rudina Xhunga: Ju thoshin në shkollë?

Luljeta Bozo: Më thoshin kolegët, edhe studentët vite më parë, Marie Curie e Shqipërisë.

Rudina Xhunga: Nuk ju ka munguar dashuria e studentëve, kolegëve?

Luljeta Bozo:  Asnjëherë dhe ky ndoshta është faktori kryesor që unë sot jam kaq aktive që sot e kësaj dite. E para që punoj me të rinjtë, që është privilegj, se ti jep po merr shumë nga rinia. E dyta gjithë kjo dashuri, transmetohet. Kam shëtitur shumë nëpër botë dhe kam takuar ish-studentë të mi, që sot janë bërë edhe gjyshër. Më takojnë me një mall. Kjo është pasuria më e madhe, nuk e blej dot me asnjë lek. Dhe në një shkrim që ka bërë një gazetar, në 65-vjetor, i thashë këtë shprehje që jam gruaja më e pasur në botë. Pse më tha? Sepse kam një lloj dashurie që nuk blihet me asnjë lloj leku, as me flori asnjë gjë. Pasuria më e madhe, është dashuria, mirënjohja dhe gjurmët që ke lënë ti në jetë. Dhe ai kështu e kishte titulluar shkrimin “Jam gruaja më e pasur në botë”. Kur e pa Todi, mos tha se do të na vijnë të na vjedhin shtëpinë, se kujtojnë kushedi çfarë pasurie ka kjo. I thash hajduti e di ku shkon, libër do të vjedhë hajduti, ai do para ç’i do librat.

Rudina Xhunga: Ju mungon Todi?

Luljeta Bozo: Po më mungon shumë. Por shyqyr Zotit unë e kam shtëpinë plot. Fëmijët nuk më kanë ikur kurrë dhe ky është një bekim i madh për mua. I kam edhe djalin edhe vajzën, edhe Petrin edhe Lilën, edhe mbesën me nipat. Kam dy stërmbesa,  tani do të bëhem edhe me një stërnip. Kjo është familje  e ngushtë. Por gjithë rrethi, vëllezërit, sepse ne jemi pesë vëllezër e motra. Nga ana e Todit ka mbetur nipi tani, sepse kanë ikur të gjithë, Gjithë vëllezërit e motrat e Todit kanë ikur. I mblodhi nënë Ata, i mori me vete. I pruri të 11 në jetë, por tani i mblodhi. Kjo është jeta. Por kam gjithë studentët, ish-inxhinierët, pa fund më vijnë në shtëpi.

Rudina Xhunga: Çfarë dashurie! Mua nuk më ka ndodhur ndonjëherë të bëj diçka në Instagram, dhe të më shkruajnë kaq shumë njerëz. Jua shoqërova portretin me këngën e Vaçe Zelës.

Luljeta Bozo: Faleminderit shumë, më keni bërë nder shumë të madh, sepse Vaçja është e paarritshme. S’ka tjetër si Vaçja.

Rudina Xhunga: Dhe shkrova: “Po ku ka si ty moj Shqipëria ime! Shqipëria që shfaqet herë si një shtëpi e herë si një njeri, nga ata si Luljeta Bozo, zonja që do  të mbahet mend gjatë e për mirë. Askush nuk ka më dyshim, kush do të jetë njeriu vitit, këtë dhjetor. Zonja që na ngrohu zemrat dhe qetësoi mendjen, këtë javë të pashlyeshme për të gjithë ne. Faleminderit zonja Bozo, ju jeni një shqiptare e mrekullueshme!” Por njerëzit që të urojnë, që të duan, e jashtëzakonshme!

Luljeta Bozo: Nga kjo e marr fuqinë. Kjo është fuqia që merr njeriu, po mori mallkime ka marrë fund.

Rudina Xhunga: Këtu kujtonin që nuk kishte më njerëz si ju!

Luljeta Bozo: Ka plot, boll të kërkoni, pafund ka. Unë jam një nga njerëzit e zakonshëm, s’jam e jashtëzakonshme. Por si unë ka sa të duash, plot, plot, plot. Mbi të gjitha ka profesionistë shumë të mirë në Shqipëri, të cilët nuk duhen lënë në harresë, pavarësisht se kanë arritur moshën e pensionit. Ata vazhdojnë të jenë aktivë. Atë ditë që isha me studentët në Durrës, erdhën tre-katër nga ish-studentët e mi.  Unë memorien vizuale e kam  absolute. I njoha, 40 vjet më parë kishin mbaruar, i njoha, por emrat i harroj.  Edhe i takova, i pyeta: “Por çfarë bëni!” “Iç!”,- më thanë. “Në pension? Po si more rrini në pension? Shkoni jepni mendjen tuaj?”, u thashë. “Po kush na ka thirrur më thanë?” “Po punë e madhe se s’ju kanë thirrur. Shkoni vetë dhe u thoni: “Ne jemi  me kaq vjet 40-45 vjet eksperiencë, doni t’ju ndihmojmë për këtë?” Shkoni more ofrohuni vetë!” E kanë zor njerëzit të ofrohen sepse mesa duket nuk e gjejnë këtë forcë magnetike që t’i tërheqë dhe t’i vlerësojë. Sepse njeriun po e vlerësove jep maksimumin. Kur e ndjen ai që shoqëria, të tjerët e vlerësojnë, ai merr forcën dhe jep akoma më shumë. Fuqitë e njeriut  janë të pashtershme.

Rudina Xhunga: Po si ka mundësi, ju ishit ajo që ishit,  ju nxorën në pension në mënyrë të padenjë dhe nuk u dorëzuat, nuk u fyet, nuk u larguat?

Luljeta Bozo: Në fakt pas një kërkese që kisha bërë një muaj përpara, ku kisha lajmëruar vetë shefat e mi që sipas ligjit: “Mua më takon që kur të mbush 68 vjeç, më lind e drejta të dal në pension dhe juve ju lind e drejta të më nxirrni në pension. Por kur ka interes institucioni dhe personi ka fuqi të punë dhe dëshirë, bëhet marrëveshje edhe zgjatet afati, një vit, dy vjet, tre vjet,  aq sa ka takat ai të punojë.” Edhe bëra një kërkesë të tillë, sepse ishte tamam në kohë kur do të fillonim shkollën e doktoraturës. Për herë të parë do të behej doktoraturë në  gjeoteknikë dhe gjithë programin e shkollës së doktoraturës e kam bërë unë. Një vit të tërë kam punuar për të gjithë specialitet e ndërtimit. Me kurrikula, me profesorët, me CV-të e profesorëve, me të gjitha. Dhe donim që vitin e parë ta provonim, sepse ishte viti i parë. Bëra një kërkesë të tillë, nuk më kthyen asnjë përgjigje. I bëra në të tria instancat, në departament, dekanat dhe rektorat. Të njëjtin tekst, vetëm, se ua kisha çuar drejtuesve të ndryshëm. Dhe një javë para se të ndodhte kjo, e pyeta dekanin që ishte në atë kohë, dhe i thashë: “Të vazhdoj, të parashikoj ngarkesën?” “Po  pa diskutim!”, më tha. Unë isha shumë e qetë që do të vazhdoja. Kur shkova kot, në dekanat, e pashë atë sekretaren shumë të shqetësuar, që vërtiste një shkresë në dorë. Më shkoi mendja me thënë të drejtën. Edhe i thashë: “Çfarë e ke atë moj çupë, e ke për mua?” “Po, por është turp të ta jap unë.”,- më tha ajo. “Këtë as unë jo e jo që nuk kam fytyrë t’jua jap juve, por as  dekani s’duhet. Duhet t’jua japë rektori këtë shkresë. Kisha 45 vjet në fakultet, pa ndërprerje. Merreni me mendim qindra breza inxhinierësh,  sa doktoratura kisha udhëhequr, e sa libra kisha bërë. Domethënë kisha dhënë maksimumin, kisha punuar me shpirt dhe vazhdoj të punoj.

I thashë asaj: “Përderisa është për mua, çfarë ke ti që shqetësohesh?” Në shkresë thuhej: “Më dy tetor mbushni 68 vjeç dhe më 4 tetor ndërprisni marrëdhëniet financiare, për efekt pension pleqërie.” Po thuaj ore, faleminderit që ke shërbyer 45 vjet, të kushton gjë një fjali? E mora dhe më 4 tetor që do të ndërprisja marrëdhëniet, më bie telefoni, më ftuan në një universitet privat, Epoka, pastaj Polisi ku jam ende.

Rudina Xhunga: Çfarë viti ndodhi kjo?

Luljeta Bozo: Në 2010-ën

Rudina Xhunga: I është harruar emri atij që firmosi, për largimin tuaj?

Luljeta Bozo: Po çfarë rëndësie ka! Them që nuk veprohet në këtë mënyrë, me njerëz që kanë dhënë shumë, me njerëz që e vlerësojnë që kanë dhënë shumë, dhe që kishin nevojë. Sepse mua, më shumë se kjo, me vrau fakti që më bën një propozim sikur mos të kisha ekzistuar. Kisha 6 lëndë që jepja, minimalja që mund të thoshin ishte: “Luljeta do t’i mbash këto 6 lëndë si e jashtme?” Mund ta bënin këtë propozim, sepse si të jashtëm marrin kë të duan. Por 6 lëndë po t’i mbash shteti të paguan, 150 orë, s’të paguan më shumë. Absolutisht, sikur nuk kisha ekzistuar dhe kjo më vrau më shumë.

Por pastaj e mblodha mendjen dhe thashë: “Njeriu që është punëtor e gjen veten gjithandej.” Lloj-lloj presionesh mund të kesh pasur në jetë, por njeriu që punon,  del gjithmonë në sipërfaqe.  Dhe them se vetëm puna të nxjerr lart. Asgjë tjetër. As dallaveret, as paratë. Puna të nderon gjithë kohës.

I jap këshillë gjithmonë studentëve të mi: “Vetëm punoni, mos shkelni mbi profesioni tuaj.”

Rudina Xhunga: I bie që studentët kanë shkelur mbi profesionin e tyre, sepse ky vend, me këto ndërtime, me kaq probleme.

Luljeta Bozo: Duhet të bëjmë një dallim, para ’90-ës, nuk diskutohet që të shkelje në cilësi.

Rudina Xhunga: Nga frika?

Luljeta Bozo: Jo, në universitet ishte një vlerësim shumë objektiv, në inxhinieri, nuk flas për  fakultete të tjera. Studenti që ishte i dhjetës, ishte i dhjetës. Ai që ishte i pesës, ishte i pesës. Ai që s’e bënte inxhinierinë, ikte. Ajo që ishte e rëndësishme para ’90 ishte fakti që në universitet kishte një 15%, që ishin lokomotiva shumë të mira, pastaj një 80% që ishin mesi, që ushqente këto lokomotiva, por tërhiqte bishtin, që ishte 10%. Këto dy të fundit janë ndërruar.

Rudina Xhunga: Është bishti në fillim!

Luljeta Bozo: Jo në fillim është 15%, edhe te publiku edhe te privati, por ky mesi ka ndërruar vend me bishtin. Kështu që bishti është bërë pjesa dërmuese, mesi ka mbetur në fund fare. Kjo duhet të ndryshojë, por ndryshimet në arsim, janë shumë të ngadalshme. Domethënë është shumë kollaj të prishësh një sistem arsimor, siç e kemi prishur, vite me radhë dhe kjo është fatkeqësi për kombin. Sepse po prishe arsimin, ke prishur  atë fushë që krijon trurin e kombit. Ku do të shkojë kombi pa tru? Nëse ke prishur arsimin, ke prishur të ardhmen e kombit. Dhe arsimi ka pësuar një shok të butë, s’po e them të menjëhershëm. Ka vite që ka degraduar që nga fillorja, nëntë vjeçarja,  shkolla e mesme. Ka luajtur një rol shumë negativ  krijimi i gjithë atyre universiteteve, si kërpudha pas shiut, ku shiteshin diplomat dhe nuk bëhej asgjë. Dhe nga këta inxhinierë ka plot, që kanë blerë diploma, ata nuk janë inxhinierë.

Ne kemi shumë inxhinierë të mirë, edhe para ’90-ës,  edhe pas saj. Duhet të shikohet si kanë qenë rezultatet e tyre, kush i teston që këta janë shumë të mirë?  Ka një organizëm që thotë se, ky po i ka të tëra kapacitetet  që të bëjë projektin? Se s’mund ta bëjë projektin kushdo. Shkatërrimet dhe dëmtimet ndodhen se, u morën me ndërtimin ata që  s’duhet të merreshin. Nuk duhet të merret në ndërtim, një që s’ia ka haberin si projektohet. Një inxhinier që nuk di sa është sipërfaqja e një trekëndëshi, që e di edhe një që nuk është inxhinier, që ngatërron figurat gjeometrike. Në këtë nivel vijnë nganjëherë në universitet, por jo të gjithë.

Rudina Xhunga: Këta që kanë krijuar këtë pjesën e madhe  të bishtit që dikur ishte në fund dhe tani kanë bërë mesin, kjo i ka bërë njerëzit pesimistë? Duan ta lënë vendin, sepse  kanë frikë të drejtohen nga bishti.

Luljeta Bozo: Po, kanë frikë se do të drejtohen nga bishti. Ka një fatkeqësi, nuk flas vetëm për këtë qeveri, por për të gjitha. Administrata është një mekanizëm dhe aty duhet të jenë njerëz shumë kompetentë,  që dinë të bëjnë punën e tyre dhe t’i shërbejnë  njerëzve. Dhe administrata nuk lëvizet, kushdo qeveri që mund të vijë. Është mekanizëm, vjen qeveria e parë, ka në administratë, kjo vazhdon i shërben qeverisë së dytë që vjen. Qeveria e dytë i hedh edhe çik vaj që të punojë mekanizmi më mirë.

Rudina Xhunga: Thjesht hidhi vaj, mos e ndërro administratën!

Luljeta Bozo: Në asnjë mënyrë si mund të heqësh administratën? D.m.th, ata që janë profesionistë. Unë nuk kam informacion të saktë, por nga gjitha muhabetet që bëjmë, e kam provuar vetë, që të shkoj në një zyrë shteti, mua më zë tmerri se nuk gjej zgjidhje. Disa vite më parë, sepse tani nuk shkoj fare nëpër zyrat e shtetit. Por kjo vazhdon, që do të thotë se, ajo administratë nuk të shërben ty siç duhet dhe nuk mund të shërbehet vetëm te ai portali që ka hapur kryeministri. Shumë mirë, se venë direkt. Por nuk  mund të zgjidhen me një, është administrata. Është puna e saj, ajo duhet ta bëjë. Bravo i qoftë që e ka bërë portalin që jep mundësi të zgjedhin një, dy apo tre, por hallet e njerëzve janë pafund. Duhet patjetër të bëhet një riorganizim i administratës,  jo me njerëz me miq, jo me farefis, jo me probleme partiake.

Rudina Xhunga: Ju me partitë jeni përzierë ndonjëherë?

Luljeta Bozo: Asnjëherë!

Rudina Xhunga: I keni mbajtur larg?

Luljeta Bozo: Jo, unë jam shumë objektive. Kur X parti e ka shumë të drejtë një gjë, që më duket mua, se unë s’jam Perëndi. Kam mendimin tim, e them vetë, këtë e kam mirë, këtë s’e kam. Jam shumë  e zhveshur nga kjo punë. Në disa emisione, shikoj që bam-bam-bam, se e kemi atë shpirtin e kritizerit, e kemi të tërë. Mirë është të kritikosh, por me anë e me udhë.

Rudina Xhunga: Por po s’je profesionist, kritik do të jesh.

Luljeta Bozo: Mirë, por me anë e me udhë. Tërmeti është një situatë e jashtëzakonshme dhe shok pësojnë njerëzit, shok pëson edhe qeveria. Është një goditje e madhe, e merr veten. Puna është të mos rrish shumë kohë pa e marrë veten. Qeveria e mori veten shpejt dhe menjëherë filloi me ato mënyra që mundi të bëjë për momentin. Tani për më tutje është mirë të marrë mendimin e ekspertëve për të vazhduar punën. Ekspertë flas gjithmonë, njerëz me shumë eksperiencë. Jo ekspertë 30-vjecarë. Unë nuk kam asgjë për të riun,  ai shyqyr që punon, fiton eksperiencë. Por nuk e ka eksperiencën e 60-70 vjeçarit, i cili s’po të kërkon ndonjë para të madhe, po ta jep mendjen pa para fare, sepse në të gjithë botën mendja blihet.

Rudina Xhunga: Çfarë ndieni në emisione, kur të ftojnë? Ndieni që duan të kritikojnë gjithë kohën?

Luljeta Bozo: Jo e shikoj që kritikojnë, jo s’është bërë kjo, jo s’është bërë ajo. S’mund të bëhen të gjitha menjëherë. Edhe njerëzit janë pak të paduruar, s’kanë faj kanë mbetur përjashta, kanë frikë të futen nëpër shtëpi. Shtëpitë i kanë në rregull. Shkon një ekspert që është pa eksperiencë,  shikon një plasaritje të hollë dhe thotë është e pabanuar.  M’i treguan sot, se sa herë shkoj në televizion  dhe më nxjerrin fotografitë, “Shko si i kam unë!”,- më thonë (Qesh).

Rudina Xhunga: Ju marrin edhe nëpër shtëpi, t’i shikoni?

Luljeta Bozo: Po kam shkuar nëpër shtëpi. Por nuk mund ta nxjerrësh ti të pabanuar,  dhe t’i prishësh gjithë qetësinë që ka ajo familje. Ajo familje atje ka jetën e vet, ka  fëmijët. Atje relaksohet, merr fuqi, që të vazhdojë të nesërmen punën.

Rudina Xhunga: Si kjo shtëpia juaj, që nuk pranoni ta lini e të ikni te fëmijët?

Luljeta Bozo: Jo nuk iki, për dy arsye. E para, se kam 25 vjet këtu në këtë shtëpi, se kam ndërruar disa shtëpi dhe kam të gjithë kujtimet e mia me Todin. E dyta, kur punoj, kam një favor që nuk e kanë të tjerët. Dal një çik në oborr, shikoj gjelbërim, merrem me lulet, kam gjithë lagjen  që  i njoh njerëzit. Kështu që kjo është ajo çfarë më mban këtu. Unë jam një grua që akoma punoj, jam aktive. Mbi të gjitha më punon truri. Dua ta organizoj jetën siç dua vetë. Jam shumë e pavarur.

Rudina Xhunga: D.m.th ky vendi, që është Shqipëria, nuk e pengon, qoftë grua, qoftë burrë. Po doni të punoni, do të punoni. Nuk ju pengon njeri të punoni?

Luljeta Bozo: Absolutisht. Dëgjoj njerëz që thonë; do të iki se nuk ka punë. Ore puna nuk të vjen nga qielli. Punën duhet ta kërkosh vetë, dhe duhet ta krijosh ti mundësinë për të punuar. Do ju jap një shembull; Një vajzë nga veriu kishte mbaruar shkëlqyeshëm veterinarinë, në Universitetin Bujqësor. Një vajzë që e kishte me pasion, por s’kishte punë. Çfarë bëri? Një të marrë në këmbë, i ra kësaj zonës këtu për të parë se kush ishin ato godina që ishin lënë djerrë. Ajo vajti te shumë dhe njërit i tha; ti kotë e ke këtë, a ma jep mua me qira? Ai i dha një çmim dhe vajza ju kthye duke i thënë; po ti kot ke, rrimë me kaq. Bereqaves, po merr një gjë. E zgjodhi të kishte ujin afër, energjinë afër, rrugën afër. Dhe si vajzë e zgjuar që ishte bëri një plan-projekt biznesi. E paraqiti atje ku duheshe, i dhanë fonde dhe ka bërë fermën më të mirë dhe të gjithë prodhimet i ka të certifikuara nga Evropa dhe i shet jashtë. D.m.th po të duash të punosh e gjen punën. Po të rrish gjithë ditën duarkryq, të shkosh në kafene duke marrë nëpër gojë njerëzit. Kështu që ka mundësi pa fund.

Rudina Xhunga: Njerëzit ju pyesin për shtëpinë, ju pyesin për hallet e tyre, po për ju, ju pyesin si jeni?

Luljeta Bozo: Si thotë ai: “Fshati që duket nuk do kallauz.” Unë kështu i referohem popullit, se është filozofi më i madh. Kështu që referoju atij dhe je në rregull.

Rudina Xhunga: Ok, unë do t’ju shoqëroj pak tek oborri. Se më thatë nuk kishit kohë të fshinit oborrin. Edhe oborrin e fshini?

Luljeta Bozo: Po, po e fshij, shtëpinë njëherë në dy javë. Është e fundit në listë sepse është një punë jo produktive. E para është ajo kryesorja. Vijnë me radhë të gjitha gjërat.

Rudina Xhunga: Si është radha?

Luljeta Bozo: Puna e para, e dyta gatimi. Kur kisha Todin ia bëja të gjitha, thosha kam çunin e madh.

Rudina Xhunga: Dhe pinit bashkë atë gotën e verës në drekë?

Luljeta Bozo: Po, po, edhe u thosha atyre, kudo që të isha, në punë, apo kudo. Këto vitet e fundit, se kishte problem me shëndetin. Todi ka qenë njeri shumë I rregullt. Drekën e kishim në 12 e 30 ose 13. Po të kalonte ora, telefonin.  Vajti ora më thoshte. Edhe unë thosha, ika se më ka rënë zilja, kalamajtë e kopshtit duan të hanë bukën.  Pastaj shtëpia kur të kemi kohë. Shëtitjet patjetër. Daljet në natyrë, patjetër. Unë çdo mëngjes, po nuk bëra nja 5 kilometra në këmbë, nuk jam në gjendje për punë. Siç duket kullon gjaku, ushqen trurin me oksigjen, fillon punën. Gjatë gjithë rrugës mendoj se çfarë do të bëj, ose bashkëbisedoj me Todin. Kur ra tërmeti më doli. Unë s’besoj në këto gjëra shpirtërore, por kotë nuk thotë populli; ndërroi jetë, iku nga një jetë  shkoi në një jetë tjetër. Nuk është më fizikisht, po shpirtërisht është. Unë mendoj se njeriu vdes kur harrohet. Për sa kohë nuk harrohet, ai është gjatë.

Rudina Xhunga: Erdhi atë natë, kishte merak për ju?

Luljeta Bozo: Erdhi. Hera e parë që e kam parë aq të gjallë. Nuk ju kam thënë as kalamajve, ty ta thashë të parën. Më mungon. Nganjëherë kur mërzitem shumë, shumë, njerëz jemi dhe mërzitemi, jo vetëm për Todin, por dhe për gjëra të tjera. Iki te 21-shi, se nuk dua të bezdis  fëmijët se kanë punët e tyre. Shkoj të 21-shi, gjej furgonin, për dy orë shkoj në Vlorë. Deti mua më relakson. Në Vlorë gjej qetësinë më të madhe.

Rudina Xhunga: Jo i Durrësit, s’jua mbush mendjen i Durrësit?

Luljeta Bozo: Jo në Durrës nuk shkoj asnjëherë, nuk më ka pëlqyer. Edhe kur i kisha fëmijët e vegjël, vetëm njëherë kam shkuar. Të preferuarat e mia kanë qenë, Vlora, Shëngjini dhe Divjaka, Shëngjini kishte rërë shumë të mirë dhe malin shumë të bukur, që bëhej kurs alpinizmi. Shkonim ne dhe të gjithë ngjisnim malin e Shëngjinit. Ndërsa Divjaka ka atë pyllin që është I paparë.

Rudina Xhunga: Çfarë vendi të bukur kemi?

Luljeta Bozo: Ne e kemi vendin fantastik. Prandaj të ikin njerëzit dhe të lënë këtë vend është mëkat. S’e kuptojnë se çfarë kanë lënë. I kanë të gjitha këtu. Epo nuk bëhet. Si mo nuk bëhet? Puno se bëhet. Pa punë nuk bëhet asgjë.