Gjykata e Lartë në Kroaci ka vendosur të rikthejë për shqyrtim dosjen e ekstradimit të Ismail Morinës drejt Serbisë.
Kjo Gjykatë e ka cilësuar si të padrejtë vendimin dhe e ridërguar për shqyrtim, çka do të thotë se mundësitë për ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi pakësohen.
Dosja do të rishqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë në Dubrovnik.
Sipas legjislacionit kroat, pavarësisht vendimeve të marra nga gjyqësori për çështje të tilla, që kanë të bëjnë me ekstradime ku ka pretendime për përndjekje raciste ose etnike, është qeveria kroate që thotë fjalën e fundit.
Pas kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij, pala shqiptare nisi negociatat zyrtare me shtetin kroat, lidhur me këtë çështje, duke i numëruar gjithë arsyet se përse Ballisti nuk duhej të ekstradohej ne Serbi.
Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pati komunikim me homologun kroat për këtë çështje, kur ministri i Drejtësisë iu drejtua zyrtarisht shtetit kroat me një letër për mosekstradimin e Morinës.