61 minuta shtesë në 4 ndeshjet e para të Botërorit. 10 minuta shtesë në ndeshjen hapëse të “Katar 2022”, 27 minuta në Angli-Iran, 11 në Senegal-Holandë dhe 13 në SHBA-Uells.
Minuta shtesë që nuk jemi mësuar t’i shikojmë në ndeshje futbolli, por në Botëror janë bërë të zakonshme, ashtu siç kishte paralajmëruar Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Në një intervistë për “BeIN Sports”, në muajin prill, Infantino shpjegonte: “Duhet të reflektojmë mbi kohën efektive të lojës. Në çdo ndeshje ka shumë kohë të humbur. Është nevoja për të rishikuar gjërat pasi spektatorët paguajnë për të shikuar 90 minuta futboll, ndërsa në të vërtetë luhet 50 minuta. Nuk them të shkojë ndeshja 100 minuta, por padyshim që shtesa që akordon arbitri duhet të përkojë me minutat e humbura gjatë lojës”.
Edhe Pierluigi Collina, ish-arbitri legjendar dhe kreu i Komisionit të Arbitrave të FIFA-s, shpjegoi se çfarë fshihet pas kësaj praktike të arbitrave në shfaqjen e futbollit botëror.
Collina tha duhen shmangur “ndeshjet me kohë efektive vetëm 42 minuta”.
“Në Kupën e Botës në Rusi koha e humbur u kompensuar saktësisht. Kështu duhet të ndodhë dhe tani”, tha dhe vazhdoi:
“Nëse do të shihnim tre gola, dhe çdo festim zgjat rreth një minutë e gjysmë, me këtë ju keni humbur tashmë pesë minuta,” shpjegoi arbitri legjendar italian.
Megjithatë, kjo nuk vlen për VAR:
“Nuk po flas për VAR-in, është ndryshe. Video-asistenti e llogarit me saktësi. Edhe kur isha arbitër, kur informacioni për kompensim vinte nga arbitri i katërt, nuk e mendon sepse ndjek çfarë po ndodh. Arbitri i katërt sugjeron kohëzgjatjen e kompensimit dhe gjyqtari e merr vetë vendimin”, përfundoi Collina, raporton Gazzetta dello Sport.