Bota Një rreng në Moskë dhe sa popullaritet gëzon realisht Putin?

Një rreng në Moskë dhe sa popullaritet gëzon realisht Putin?

Një video e një blogeri nga Rusia, pjesë e një rrengu të tij, është përhapur në mënyrë virale dhe pa dashur ka kapur thelbin e një debati lidhur me shkallën e mbështetjes që Presidenti Vladimir Putin gëzon pas 20 vjetësh në pushtet.

Diskutimi nisi pasi blogeri Bashir Dokhov postoi një video në Youtube, tek e cila ai ngjit një portret të madh të udhëheqësit rus në murin e një ashensori të një pallati në Moskë.

“Do të vendos një kamera edhe aty në një cep. Të shohim se mos dikush e vjedh largqoftë”, thotë ai ndërsa përgatit rrengun.

Fotografia e Putinit nuk u hoq, por reagimet kur njerëzit shihnin udhëheqësin rus, ishin të ashpra.

“Pse është ky këtu?”, thotë një pasagjer kur hyn në ashensor. “Çfarë tmerri!”, thotë një grua që pastaj përkulet para portretit duke qeshur ndërsa një shoqe e saj i bën një fotografi.

“Është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë pallatit tonë”, thotë një banor tjetër.

Vetëm tri ditë pasi u postua në YouTube, videoja është parë mbi 2 milionë herë.

Popullariteti i Putinit

Përveçse ka shkaktuar të qeshura, videoja ka rihapur një debat në Rusi: sa popullaritet gëzon në realitet Vladimir Putini?

Sipas anketave, presidenti Putin ka qenë figura qendrore e politikës ruse për mbi 20 vitet që ka qenë në pushtet, me një popullaritet që do t’ia kishte zili çdo udhëheqës perëndimor.

Agjencitë shtetërore të sondazheve e llogarisin mbështetjen e udhëheqësit rus në nivelin 73%. Anketuesit e pavarur si Qendra Levada, e llogarisin mbështetjen në një nivel më të ulët, 68%.

“Kjo mbështetje është mjaft e qëndrueshme dhe u rrit në vitin 2019”, thotë Denis Volkov i Levadës për Zërin e Amerikës, duke vënë në dukje se kjo shifër u luhat një vit më herët, kur u propozua një reformë jopopullore e pensioneve.

Mbështetja më e lartë për zotin Putin erdhi në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, kur ajo arriti në 86%.

Megjithatë shifrat për aspekte të ndryshme ofrojnë më shumë nuance.

Vlerësimi për besueshmërinë e zotit Putin dhe përqindja e mbështetjes për një rizgjedhje të tij ku pyeten të anketuarit nëse do të votonin për të nëse zgjedhjet mbaheshin javën e ardhshme, japin rezultate shumë më të ulëta, vetëm 33%, sipas një sondazhi të vitit 2019.

Dhe duket se Kremlini po i ndjek me vëmendje këto shifra. Presidenti Putin shpalli një numër reformash gjatë fjalimit të tij për gjendjen e vendit muajin e kaluar dhe më pas emëroi një kryeministër të ri, duke premtuar se përparësia e mandatit të tij të katërt do të ishte përmirësimi i jetës së rusëve.

Ndërsa një pike tjetër qendrore e fjalimit ishin reformat kushtetuese që ndoshta kanë si qëllim shtrirjen e ndikimit të presidentit Putin, përtej mandatit të tij aktual dhe ndoshta të fundit në vitin 2024.

Në fakt kritikët e Kremlinit kanë argumentuar për një kohë të gjatë se edhe rezultatet e sondazheve më rigoroze, janë të shtrembëruara nga mungesa a një alternative politike, propaganda shtetërore apo pyetjet manipuluese të anketuesve.

Prandaj kundërshtarët e Kremlinit e shohin rrengun e ashensorit si një votim të thjeshtë pro ose kundër ndaj punës së Putinit, një realitet pa filtra.

“Gjeniale! Është anketa më e mire sociologjike që njoh dhe ndoshta më e ndershmja!”, komentonte një shikues në Youtube.

Sondazhet tregojnë se Presidenti Putin e ka mbështetjen më të madhe në rajonet ku ka siguruar përkrahje me një kombinim retorike anti-perëndimore dhe vlerash tradicionale konservatore.

Qytetet e mëdha të Rusisë kanë qenë prej kohësh qendra të protestave të opozitës dhe rrengu i ashensorit në Moskë ishte ndoshta një reflektim i këtij realiteti.

Blogeri Bashir Dokhov tha se përzgjedhja e njerëzve që reaguan nuk ishte aspak shkencore. Në një intervistë me radion Ekoja e Moskës, ai tha se thjesht kishte përfshirë reagimet më me humor.

“Kishte plot raste kur njerëzit nuk reaguan fare”, thotë Dokhov.

“Të tjerë thjesht bënë selfie”, shtoi ai./VOA