Sport Një rreze dielli në furtunë, rikthehet Ibra tek Milan

Një rreze dielli në furtunë, rikthehet Ibra tek Milan

Milan është duke kaluar një krizë të thellë rezultatesh me kuqezinjtë që nuk e kanë gjetur rrugën e fitores në shtatë ndeshjet e fundit. Bilanci rëndohet edhe më tepër kur bëhet fjalë se në këto sfida, kuqezinjtë janë eliminuar nga Kupa e Italisë, kanë humbur finalen e Superkupës ndaj Inter dhe po ashtu dolën me kokën poshtë nga derbi i fundit përballë “kushërinjve” zikaltër.

Trajneri Stefano Pioli është në vështirësi dhe duket se në gjithë këtë errësirë, tekniku 57-vjeçar shpreson të buzëqeshë falë rikthimit të Zlatan Ibrahimovic. Sipas asaj që raporton Corriere Della Sera, suedezi duket se është gati për të marrë minutat e parë në këtë sezon dhe në sfidën me Torinon pritet të jetë në stol, për t’u aktivizuar më pas për pak minuta.

Një lajm tejet i rëndësishëm për kuqezinjtë pasi prezenca e Ibrës “lëkund” të gjithë ambientin dhe në këtë moment duket si një ilaç në çelësin psikologjik për skuadrën që ka humbur busullën dhe rrezikon ta hedhë në koshin e plehrave të gjithë sezonin.