Një thekëse që nuk funksionon më, një protezë kujtim i një dashurie të humbur, këto janë disa nga objektet e mbledhura në muzeun e “zemrave të thyera” në Zagreb, ku dita e Shën Valentinit është tejet e pazakontë.
Në këtë muze të vogël të kryeqytetit kroat, kushdo mund të dërgojë një objekt që i ka mbetur si shenjë e një dashurie të shkatërruar.
“Kur e nisëm projektin, nuk e kisha shumë idenë se çfarë do të siguronim prej tij. Letra, lodra të harruara, nuk e dija ç’të prisja… Por rezultoi që njerëzit ishin shumë të interesuar. Të gjithë e kanë një histori për të treguar”, tha Drazen Grubisiç, bashkëthemelues i muzeut.
E interes pati vërtet shumë.
“Është bukur, nuk e mendoja kështu realisht. Disa gjëra më bënë të qesh, disa të tjera të qaj, por në fund më duket shumë e veçantë ndjesia që fiton, apo edhe fakti që arrin të prekësh pak jetët e njerëzve të tjerë”, tha një vizitore.
Mjaft çifte kanë shkuar aty në ditën e Shën Valentinit, për ta festuar në një mënyrë të pazakontë. Disave u duket se kjo ua forcon edhe më shumë dëshirën e lidhjes. Muzeut i mbërrijnë rreth 200 objekte në vit dhe, pas një ekzistence më shumë se 10-vjeçare, ka nisur të organizojë ekspozita edhe nëpër botë.