Bota “Një skenar makthi”, Rusia: Amerika do të vendosë raketa me rreze të...

“Një skenar makthi”, Rusia: Amerika do të vendosë raketa me rreze të mesme në Europë

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës e SHBA vijojnë të jetën të larta, me palët që akuzojnë njëra-tjetrën se nuk pranojnë dialogun dhe janë gati për të ndërhyrë ushtarakisht.

Këtë të enjte, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, u shpreh se “stabiliteti strategjik” po shembet me shpejtësi, ndërsa ngriti shqetësimin se raketa amerikane me rreze të mesme veprimi do të vendosen së shpejti në Europë.

“NATO po refuzon të shqyrtojë në mënyrë konstruktive propozimet tona për të ulur tensionet dhe për të parandaluar incidente të rrezikshme. Kundër kësaj, Aleanca po afron pranë kufirit me Rusinë infrastrukturën e saj ushtarake. Një skenar makthi, një përplasje e mundshme ushtarak po kthehet”, u shpreh Lavrov në takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së.

Një ditë më parë, Moska nisi stërvitjen me trupa dhe armatime të rënda në kufi me Ukrainën. Sipas autoriteteve ruse, kjo është një stërvitje e rregullt që zhvillohet çdo vit në këtë periudhë, në rajonet e jugut, në kufi me Ukrainën. Në të po marrin pjesë më shumë se 10 mijë trupa, të zhvendosur në të gjithë zonën.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se stërvitja gjigante do të zhvillohet edhe në Krime, gadishullin në Detin e Zi të aneksuar nga Ukraina në vitin 2014, por edhe në krahinën ruse ngjitur me Donbasin, një krahinë në lindje të Ukrainës ku kontrollin e kanë separatistë të mbështetur nga Rusia.

Prej disa javësh, zyrtarët amerikanë, NATO dhe Ukraina kanë ngritur alarmin për një sulm të ri të Rusisë në Ukrainë, duke e cilësuar aktivitetin ushtarak të saj në kufi si të pazakontë. Rusia i ka hedhur poshtë këto pretendime.