Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjodhi një ditë më parë 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të vijojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi; janë ata që do të vijojnë më tej garën për në SPAK.
Por kush janë disa prej këtyre prokurorëve? Cilat kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta që ata kanë pasur nëpër duar? Megjithëse një pjesë e mirë e tyre nuk e kanë kaluar ende procesin e vettingut, ata vlerësohen për mënyrën se si kanë hetuar këto çështje dhe qëndrimet kanë mbajtur. Gazeta “Si” po ju sjell profilet për disa prej tyre.
1- Altin Dumani, i moshës 45 vjeç, është nga Shupenza e Dibrës dhe mbahet si një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Njihet si prokurori i pakompromis dhe përflitet gjithashtu si një nga emrat më të pëlqyer për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ai u intervistua i pari nga KLP dhe mbahet si një nga prokurorët që nuk i pëlqen buja dhe as nxjerrja e sekretit hetimor. Për të nuk ka dalë ende një datë nga vetting-u. Dumani u vlerësua me pikët maksimale.
2- Anton Martini, i moshës 45 vjeç është nga Tropoja. Njihet si prokurori që përmes një dëshmitari të mbrojtur, siç ishte Adriatik Coli zbërtheu një nga bandat kriminale më potente në vend. Ai përfaqësoi akuzën e shtetit në gjykatë kundër bandës së Durrësit, ku edhe kërkoi burgim të përjetshëm për kreun e këtij grupi. I lakuar si prokurori që hetoi bandat, ai u kthye në një histori suksesi atëherë kur goditi Bandën e Cërrikut, hetoi Lazaratin, për disa vite u vu në kërkim të gjurmëve të vogëlushes së zhdukur, Bleona Mata, por pas sukses si edhe kërkoi dënimin kapital të Arben Frrokut. Ai shpesh është përplasur me ish-shefat e tij, çka i ka kushtuar edhe largimin nga kryeqyteti, siç edhe rasti i transferimit të përkohshëm në Shkodër. Rehabilitimi i tij ndodhi vetëm, pasi kolegia që takoi në Shkodër, Arta Marku, kur u votua Prokurore e Përkohshme e riktheu te Krimet e Rënda. Ai nuk ka kaluar ende vettingun dhe mori vendin e dytë në pikëzim.
3- Elizabeta Imeraj, e moshës 40 vjeç është nga Tropoja. Si vajza e një ushtaraku, prokurorja e Krimeve të Rënda ka trashëguar prej tij disiplinën e fortë dhe staturën e fortë. E diplomuar me medalje në Shkollën e Magjistraturës, poseduese e katër gjuhëve të huaja dhe e etiketuar si “dora e fortë” e prokurorisë, ajo u bë e njohur për publikun në këshillin e mandateve, atëherë kur mes dy burrave prokurorë këmbënguli fort për Saimir Tahirin. Por, më herët ajo hetoi grupin e Emiliano Shullazit, bëri dëshmitar për këtë dosje Ylvi Beqen, hetoi nëntë persona në dosjen imamët, ndërsa aktualisht drejton Prokurorinë e kryeqytetit. Me flokët përherë të mbledhur, përherë e veshur me xhaketë e pantallona, Imeraj e nisi karrierën në Prokurorinë e Shkodrës ku pas hetimit të kontrabandës atje u emërua në kohën e Sollakut si prokuror i thjeshtë te Krimet e Rënda ku kryesisht ka hetuar çështje të trafikantëve. Imeraj është gjithashtu në pritje të vettingut.
4- Arben Kraja, i moshës 47 vjeç nga Shkodra, njihet për qetësinë dhe temperamentin e qetë. Aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe çështja e tij më e fundit është ajo e akuzimit të ish-gjyqtares së lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prozhektorët e medias u kthyen ndaj tij vite më parë atëherë kur hetoi Lulzim Bashën në atë kohë ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve. Basha së bashku me ish-zyrtarë të rrugëve, u vendos nën përgjegjësi për rrugën Durrës-Kukës, dosjen e Armando Prengës për incidentin e Lagunës së Patokut, por edhe deputetë e ish-deputetë të tjerë të gjykuar në Gjykatën e Lartë gjatë maratonës së dhjetëra çështjeve të gjykuara për akuzën e shpifjes. Arben Kraja është konfirmuar në detyrë dhe flet 3 gjuhë të huaja.
5- Doloreza Musabelliu, 39 vjeç është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga magjistratet e diplomuara shkëlqyer, dhe që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për shkak se është një nga prokuroret e pakta që flet frëngjisht, ajo ka qenë shpesh e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe, kryesisht në fushën e trafikut. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që përpara se të ngrihej miti i Emiliano Shullazit, kreu një hetim kundër tij dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje. Prokurorja kaçurrelse që heton pa e ndarë buzëqeshjen, por edhe stilin në të veshur, ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa aktualisht ka në dorë dosjen Toyota Aurus me miliona euro të sekuestruara në Durrës. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017. Është në pritje të vettingut.
6- Klodian Braho, i moshës 37 vjeç është nga Skrapari. Me qetësinë që e karakterizon Braho, po ashtu magjistrat, e nisi karrierën në njësitë antikorrupsion në Vlorë ku spikati me hetimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, një gjykim i cili për shkaqe sigurie u zhvendos që të kryhej në kryeqytet. Prokurori udhëtonte një herë në dy javë drejt Tiranës për të përfaqësuar akuzën ndaj të zgjedhurit të pushtetit vendor dhe një sërë zyrtarësh lokalë. Hetoi dhe arrestoi për korrupsion ish-gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, ka vendosur sekuestro ndaj aseteve pasurore të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin gjithashtu e ka nën hetim për korrupsion. Nën hetim aktualisht ka edhe një pjesë të zgjedhjeve në Dibër si edhe zyrtarë të tjerë për dyshimet e grabitjes së Rinasit. Klodian Braho njihet për tipin e qetë e po ashtu dëshirën për të qëndruar larg bujës. Është në pritje të vettingut.
7- Enkeleda Millonai, e moshës 39 vjeç është nga Berati. Ajo ka mbajtur përherë një profil të ulët dhe larg medias. Aq sa është e vështirë të bëje identifikimin e saj. Është magjistrate dhe është beqare dhe njihet si një nga prokuroret që ndërsa drejton përkohësisht akuzën e Elbasanit, ka shfaqur vullnet për të luftuar krimin dhe bandat në këtë qytet. Nuk njihet si prokurore që ka pasur dosje të bujshme për shkak se siç thonë prokurorë që kanë punuar me të, drejtuesit e Prokurorisë së Elbasanit e kanë shmangur nga hetimi i dosjeve të forta për shkak të qëndrimit të saj të prerë dhe të pakompromis. Millonai e ka nisur karrierën e saj si sekretare gjyqësore pranë Gjykatës së kryeqytetit dhe më pas ka konkurruar për magjistraturë ku është diplomuar me pikët maksimale. Kur Krimet e Rënda shpallën moskompetencën për ngjarjen e tregut agro-ushqimor, ajo këmbënguli që kjo ngjarje të hetohej si krim i rëndë, duke treguar se prokurorja nuk negocion aspak kur bëhet fjalë për goditje të autoritetit të shtetit. Është konfirmuar në detyrë dhe flet dy gjuhë të huaja.
8- Manjola Kajana, 37 vjeç është nga Burreli. Prokurorja brune e nisi karrierën si prokurore në qytetin e Fierit ku spikati me hetimin e grabitëses seriale me nofkën Nikita. Kajana, e cila aktualisht është prokurore te Krimet e Rënda mbulon gjithashtu edhe koordinatoren me mediat. Ajo përfaqësoi në gjykatë dosjen e trafikut të heroinës ndaj trafikantit Arben Prendi, që mbulonte linjën e trafikut me Kosovën, hetoi pasuritë e grabitësit të vrarë, Admir Murataj dhe familjarëve të tij dhe kërkoi sekuestro të këtyre aseteve në gjykatë, hetoi dosjen e Durim Bamit atëherë kur ai u shfaq në një video-regjistrim, duke folur për një atentat të mundshëm ndaj Tom Doshit. Ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka rezultuar e pastër nga vettingu./ Gazeta “Si”