Zyrtarët e Nju Jorkut po i varrosin viktimat e COVID-19 në ishullin Hart, në fushën ku që prej shekullit të 19-të janë varrosur personat që nuk kanë pasur të afërm që të merren me funeralet.
Në kohë normale aty varrosen rreth 25 trupa në javë nga të burgosurit, të cilët punojnë në ishullin që ndodhet pranë Bronskit, dhe ku mund të shkohet vetëm me rrugë ujore.
Por gjatë marsit, për shkak të Pandemisë, janë varrosur mesatarisht 24 persona në ditë.
Trupat futen në arkivole të thjeshtë druri, ku gdhenden me shkronja të mëdha emrat e çdo të ndjeri, në rast se vjen dikush që t’i zhvarrosë më vonë.
Zyrtarët e ishullit thonë se kanë hapur dy llogore të mëdha, që të jenë gati nëse shifrat vazhdojnë të jenë të tilla.
Trupat vijnë çdo mëngjes në ishull, me një varkë transporti që mban mbi bord një kamion frigorifer.
Ishulli mund të përdoret edhe si vend i përkohshëm për të mbajtur trupat, nëse të vdekurit shkojnë përtej kapaciteteve që mund të përballojnë morgjet e Nju Jorkut.
SHBA-të kanë numrin më të lartë në botë të të infektuarve dhe janë të dytët pas Italisë për vdekje, me mbi 16 mijë. Prej tyre, 7500 kanë vdekur në shtetin e Nju Jorkut, dhe 5150 vetëm në qytetin e Nju Jorkut, metropolin më të madh në SHBA, me 8.6 milionë banorë.