Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konfirmohen gjithnjë e më tepër si epiqendër e pandemisë koronavirus. Numri i të prekurve i ka tejkaluar 100 000, më shumë se çdo shtet tjetër i botës, ndërsa Nju Jorku paraqitet si qyteti më i goditur.
Përballë emergjencës shëndetësore dhe rasteve gjithnjë e në rritje, mediat amerikane lëshojnë një alarm shumë serioz. Nëse niveli i përhapjes do të vijojë në ritme kaq të larta, Nju Jorku mund të përjetojë një pandemi më të ashpër se Wuhani në Kinë apo Lombardia në Itali. Kjo raportohet nga gazeta “New York Times”, sipas së cilës. “Molla e madhe” ka patur më pak sukses në frenimin e rasteve të reja krahasuar me Wuhanin apo rajonin italian.
Media tjetër amerikane e qytetit që nuk fle kurrë, “New York Post”, merret më shumë me statistikat zyrtare: koronavirusi vret në Nju Jork një person çdo 17 minuta. Përtej kësaj, sistemi shëndetësor në këtë qytet po shkon drejt kolapsit. Guvernatori Andrew Cuomo ka paralajmëruar shpeshherë që po mbarojnë shtretërit si dhe pajisjet mbrojtëse dhe ato të përkujdesjes nuk mjaftojnë.
Trump: Po mendojmë ta vendosim Nju Jorkun në karantinë
Për të përballuar krizën shëndetësore, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se po mendon të vendosë shtetin e Nju Jorkut në karantinë, në një tentativë për të ulur përhapjen e koronavirusit.
“Po e mendojmë në këto momente për të vendosur karantinën në Nju Jork dhe kjo sepse është një zonë e kuqe”, tha Trump përpara gazetarëve.
Deri tani në këtë shtet raportohen mbi 52 mijë persona të prekur nga virusi dhe 728 viktima. Nju Jorku konsiderohet si shteti me më shumë persona të infektuar në Shtetet e Bashkuara.
Sipas presidentit Trump, me masat e reja, në karantinë mund të vendoset dhe Nju Xhersi dhe një pjesë e Konektikatit. “Ndoshta nuk duhet ta bëjmë këtë gjë, por ekziston mundësia që vendoset një karantinë, të paktën përkohësisht, për dy javë”, shtoi Trump.
Presidenti u përcolli një paralajmërim kompanive amerikane të automjeteve se do të përdorë një ligj që i detyron industritë private të prodhojnë aparatura për nevoja strategjike të vendit. Presidenti kërkon nga kompanitë e automjeteve të prodhojnë aparatura për frymëmarrje, megjithëse nuk është e qartë se në çfarë forme presidenti mund t’ua imponojë prodhimin këtyre kompanive.
Të premten, presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv ku udhëzon Sekretarin e Shëndetësisë të analizojë në ç’formë mund të zbatohet Ligji i Prodhimit për Mbrojtjen kundër kompanisë General Motors, e cila ka shprehur gatishmërinë për të prodhuar aparatura për frymëmarrje, por siç tha presidenti, prodhimi ka ngecur.
Presidenti u shpreh optimist se brenda 100 ditët do të jenë prodhuar 100 mijë aparatura frymëmarrjeje. Por shumë guvernatorë, ndër to edhe guvernatorë në shtete konservatore si Luiziana dhe Ohajo, thonë se nuk kanë pajisje të mjaftueshme për krizën që mund të shfaqet brenda më pak se një jave.